Një ngjarje tragjike ka tronditur Spanjën, këtë tw enjte, 21 maj, ku një vajzë vetëm dy vjeçe humbi jetën pasi u la aksidentalisht në makinën e babait të saj për disa orë, mes temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.
Ngjarja ndodhi në qytetin Brión, në rajonin e Galicias, në veriperëndim të Spanjës. Sipas mediave lokale, babai kishte dërguar fëmijën tjetër në shkollë dhe kishte planifikuar të linte edhe vajzën e vogël në çerdhe, por një telefonatë e shpërqendroi dhe ai shkoi direkt në punë, duke harruar fëmijën në automjet.
Vajza qëndroi për disa orë brenda makinës nën temperatura të larta, duke pësuar arrest kardiak. Alarmit iu përgjigj nëna e saj, e cila shkoi ta merrte në çerdhe rreth orës 15:00 dhe u informua se fëmija nuk ishte sjellë atë mëngjes.
Pasi kuptuan çfarë kishte ndodhur, prindërit telefonuan menjëherë shërbimet emergjente. E mitura u transportua në një qendër shëndetësore në Bertamiráns, por mjekët vetëm sa konfirmuan vdekjen e saj.
Policia ka nisur hetimet për rastin, ndërsa familja po merr mbështetje psikologjike.
Këshilli bashkiak i Briónit shpalli dy ditë zie në nder të vajzës së vogël dhe njoftoi mbajtjen e një minute heshtje në kujtim të saj.
Ndërkohë, Spanja po përballet me temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit. Agjencia shtetërore meteorologjike Aemet paralajmëroi se në disa zona temperaturat mund të arrijnë deri në 38°C, duke shtuar shqetësimet për pasojat e valëve të të nxehtit dhe ndryshimeve klimatike./mxh
