Last Updated on 22/05/2026 by Anisa
Analisti Preç Zogaj ka kritikuar procesin e paralajmëruar për të shtunën, ku Sali Berisha pritet të rikonfirmohet në krye të Partisë Demokratike.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Zogaj tha se ky proces nuk mund të konsiderohet zgjedhje dhe se zhvillohet në kundërshtim me rregullat e brendshme të partisë.
“Këto nuk janë zgjedhje. Nuk e kam kuptuar ku do të dalë Berisha me këto që po bën. Po shkon për t’u rikonfirmuar duke shkelur statutin në favor të vet, dhe duke zbatuar nene që nuk ekzistojnë për ata që kanë dashur të kandidojnë,” u shpreh ai.
Sipas Zogajt, gara e brendshme në PD ka munguar prej vitesh, duke kujtuar se përballja e vetme e vërtetë zgjedhore në parti ka qenë në vitin 1991 mes Neritan Cekës dhe Sali Berishës.
“Këto janë akte që e zvogëlojnë këtë parti. Nuk e kuptoj që një opozitë që bëhet sa gjysma e qeverisë nuk vjen kurrë në pushtet dhe futet drejt asgjësimit,” shtoi ai./A.D
