Nga Lutfi Dervishi
IBAR do të kalojë. Qeveria do ta shesë si një sukses historik, ndërsa opozita si një proces të vonuar që konfirmon dështimet e pushtetit. Ndërkohë, raportin teknik prej 31 faqesh ka shumë gjasë ta lexojnë po aq njerëz gjithsej: një tufë ekspertësh dhe ndonjë diplomat karriere.
Por përtej propagandës së ditës, pyetja është: çfarë ndryshon konkretisht për vendin?
Para se të rrahim gjoksin e të kumtojmë “fitore”, duhet të sqarojmë çfarë nuk kemi marrë ende. Ky nuk është anëtarësim në BE dhe as hyrje automatike në tregun e përbashkët. IBAR-i nuk sjell nesër paga gjermane, spitale daneze apo administratë
holandeze.
Deri më tani, procesi ka qenë kryesisht teorik: screening/skanimi, raporte, tabela, strategji dhe vlerësime në distancë. Shqipëria sapo ka kaluar provimin teorik për patentën europiane. Tani duhet të futet në trafikun real. E aty, nuk mjafton më të njohësh tabelat; duhet të dëshmosh se di t’i japësh makinës.
Kjo kuptohet qartë kur krahason dokumentet. Dallimet mes IBAR 1 që nuk kaloi (shkurt 2026) dhe IBAR 2 (maj 2026) ndahen nga vetëm tre muaj kohë, por janë tre muaj zbor. Ata që bënë papagallin duke përsëritur se “asgjë nuk është bllokuar e çdo gjë ecën vaj”, është koha të skuqen pak, nëse nuk u ka plasur krejt cipa.
Të dy dokumentet trajtojnë të njëjtat kapituj: drejtësinë, korrupsionin, median, administratën dhe zgjedhjet. Por në thelb, ndryshimi i tonit është radikal.
Nëse IBAR 1 ishte dylbi, IBAR 2 është lupë. Toni është haptazi më politik, më skeptik dhe tejet konkret. Rasti i SPAK-ut është ilustrimi më i mirë: për herë të parë dokumenti flet pa doreza për presione politike, deklarata publike zyrtarësh dhe nevojën jetike që prokurorët të punojnë pa ndërhyrje.
E njëjta logjikë e zhveshur dominon edhe te zgjedhjet. Aty ku IBAR 1 mjaftohej me thirrjet e përgjithshme për të përmbushur rekomandimet e OSBE/ODIHR, IBAR 2 shkon direkt te plaga: keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe makineria e patronazhistëve.
Edhe çështja e pronave futet në një fokus më agresiv, duke treguar gishtin mbi zonat bregdetare, pronat e minoriteteve, shpronësimet, dokumentet false dhe mungesën e kompensimit real. Po ashtu, policia hyn më fort në radar, ku evidentohet korrupsioni, rotacionet e dyshimta dhe dobësia strukturore e mekanizmave të kontrollit.
Mesazhi është i qartë: Brukseli nuk impresionohet më nga strategjitë, planet e veprimit, konferencat apo ligjet që miratohen.
Ndaj, ky proces nuk duhet shitur si triumf, sepse nuk është i tillë. Është thjesht hyrje në fazën më të vështirë të negociatave. Nga ana tjetër, edhe opozita do të bënte gabim ta trajtonte këtë vetëm si propagandë të radhës; për herë të parë, mbi shtetin shqiptar po vendoset një mekanizëm monitorimi dhe presioni ndërkombëtar që nuk të fal. Lupa është afruar shumë afër.
Ky është një shans real për një lojë më serioze, një mundësi për të krijuar një klimë politike më të qetë, ku fokusi zhvendoset te qytetari dhe te interesi vendit. Është një mundësi për institucione më funksionale, ekonomi më konkurruese, zgjedhje më të besueshme, administratë më pak partiake dhe media më të mira. Por kjo vlen vetëm nëse raporti përdoret si manual pune, dhe jo si material për statuset e radhës në Facebook.
IBAR-i kalon, por mes rreshtave kuptohet se koha e fjalëve të bukura ka perënduar. Ka ardhur koha e veprave.
Më 27 maj në mëngjes, qytetarët nuk do të zgjohen në një vend pa trafik, me ujë 24 orë apo me spitale perfekte. Ky proces nuk ul çmimin e naftës me vendimin e bordit të “transparencës”, nuk e zhduk korrupsionin me magji dhe nuk rregullon me telekomandë problemet e kadastrës, tenderat apo PPP-të.
Ajo që ky hap krijon është diçka më pak spektakolare, por jetike: një presion konstant, kirurgjikal, që institucionet të funksionojnë sipas ligjeve e rregullave e jo sipas trilleve e dëshirave.
BE-ja po ndez dritën jeshile për të kaluar nga teoria në praktikë. Kemi hyrë, si të thuash, në autostradë, por shpejtësia e lëvizjes dhe rreziku për t’u përplasur varen tashmë tërësisht nga ne. BE nuk ka ndërmend të na marrë zvarrë e të na anëtarësojë me zor.
Për herë të parë pas shumë vitesh, problemet tona jo vetëm që janë nxjerrë sheshit, por kemi humbur zyrtarisht edhe luksin për t’i injoruar./A.D
