Një incident i regjistruar në rrjetin energjetik në zonën e Shëngjinit shkaktoi përkohësisht probleme në furnizimin me energji elektrike për një pjesë të abonentëve. Sipas informacioneve paraprake, një zjarr në kanalin e kabllave pranë Kënetës dëmtoi fidrin 17, një nga linjat kryesore që furnizon qytetin e Shëngjinit dhe zonën turistike të Ranës së Hedhun.
Menjëherë pas konstatimit të defektit, ekipet teknike ndërhynë në terren për të shmangur ndërprerjen e zgjatur të energjisë. Furnizimi u devijua në një linjë alternative, duke bërë të mundur rikthimin e energjisë për të gjithë abonentët e prekur.
Aktualisht, zona po furnizohet përmes fidrit 18, ndërsa grupet e avarisë vijojnë punën për riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga zjarri dhe rikthimin në funksion të plotë të fidrit 17.
Burime teknike bëjnë me dije se ndërhyrja po zhvillohet me intensitet të lartë dhe pritet që brenda orëve në vijim sistemi të rikthehet plotësisht në normalitet./mxh
