Gazetarja Klodiana Lala ka folur sot lidhur me operacionet e SPAK për goditjen e disa grupeve të mëdha kriminale. Lala në një dalje televizive tha se një nga grupet më të rrezikshme të goditura është grupi kriminal “Pepa” dhe sekuestrimi i pasurive të tyre.
Sipas saj kirmi i organizuar që pastron paratë ka strirë ndikimin edhe në tenderat publikë. Ndër të tjera, gazetarja përmendi goditjen e grupit të Ines Hajrullës në Vlorë, ku sipas saj SPAK hapi “Kutinë e Pandorës” për vrasje mafioze që kanë ndodhur në këtë qytet.
“Grupi kriminal Pepa është ndoshta ndër goditjet e një prej grupimeve më të rrezikshme kriminale dhe sekuestrimi i pasurive të këtij grupimi kriminal në vlera të konsiderueshme, në dhjetëra milionë euro, mendoj që është një çështje mjaft e rëndësishme sepse ishte një kompani dhe unë e kam trajtuar në emisionin “Në Shënjestër”, e cila kishte fituar dhjetëra tendera publikë. Çfarë do të thotë kjo? Pra, krimi i organizuar që pastron paratë dhe shtrin tentakulat në tenderat publikë, dhe nga ana tjetër ishte një grupim kriminal që planifikonte marrjen peng të drejtorëve të një banke të nivelit të dytë. Imagjinoni se çfarë grupimi i sofistikuar ku katër vëllezërit, njëri prej të cilëve për fat të keq nuk jeton më, por tre të tjerët ishin përfshirë në krim të organizuar, në trafik të kokainës, në pastrim parash dhe në shtrirjen e tentakulave në tendera, që nga rindërtimi e deri tek tenderat në bashki të ndryshme të vendit.
Kështu që në këtë kuptim ishte një çështje e rëndësishme dhe e qenësishme sipas meje. Po ashtu ke pasur goditjen e grupit të Ines Hajrullës në Vlorë. Patjetër që atje duhet të ketë edhe shumë grupime të tjera në atë qytet, por që për herë të parë SPAK shkoi atje dhe që normalisht hapi Kutinë e Pandorës për vrasje mafioze që kanë ndodhur në atë qytet e më pas mund të ketë edhe arrestime të tjera”, tha Lala.
Ndër të tjera gazetarja foli edhe lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt ku deklaroi se ka segmente të caktuara të politikës dhe të shtetit që nuk janë të interesuara për zbardhjen e fatit të tij. Sipas saj dosja e Martinajt duhet të kishte kaluar në SPAK dhe jo të mbahet në Prokurorinë e Lezhës. Ajo shtoi se familjarët e tij e dinë të vërtetën e ngjarjes.
“Ka segmente të caktuara të politikës dhe të shtetit që nuk janë të interesuara për zbardhjen e fatit të Ervis Martinajt. Unë nuk e kuptoj se si një prokuror në Lezhë vazhdon dhe e mban ende dosjen e Ervis Martinajt dhe se si nuk hetohen mesazhet që ai ka çuar apo se si nuk merret dëshmia e babait të Brilant Martinajt. Ajo dosje duhet të kishte kaluar në SPAK dhe Prokuroria e Posaçme ta hetonte. Kjo ngjarje mendoj se mund të zbardhet vetëm në kohën kur këto grupe kriminale dhe banda të përplasen fortë mes tyre dhe të nisin të flasin. Familjarët e dinë të vërtetën, e dinë edhe kush e ka ekzekutuar Ervis Martinajn”, tha ajo./mxh
