Simon Tisdall
Ndërsa lufta e bllokuar në Iran po hyn në muajin e saj të katërt, krahasimet me dështimet e mëparshme amerikane në Irak, Afganistan dhe Vietnam po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Kur konflikti nisi, paralajmërimet për një tjetër “luftë pa fund” dukeshin të ekzagjeruara. Jo më. Nëse situata vazhdon kështu, pasojat humanitare, ekonomike dhe gjeopolitike të kësaj aventure rrezikojnë të jenë më shkatërruese globalisht se çdo katastrofë tjetër e shkaktuar nga SHBA në dekadat e fundit.
Pikërisht për këtë arsye lind pyetja urgjente – sidomos tani që raportimet tregojnë se presidenti amerikan dhe sekretari i tij i luftës po planifikojnë bombardime të reja mbi Iranin: kush do ta ndalë Donald Trump?
Pasi nisi një konflikt që nuk mund ta përfundojë, presidenti amerikan, i nxitur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është futur në një rrugë pa dalje. Ose do të rikthejë bombardimet ilegale ndaj Iranit në një shkallë edhe më të madhe, duke kërcënuar hapur me krime lufte në përpjekje për të imponuar dorëzimin; ose do të detyrohet të pranojë një kompromis diplomatik që bie shumë larg objektivave fillestare, përfshirë eliminimin e programit bërthamor iranian, duke lënë në pushtet një regjim më të ashpër dhe strategjikisht më të fortë.
Asnjëra zgjedhje nuk është tërheqëse – apo e qëndrueshme – për Trumpin. Ai dhe aleati i tij fanatik, Pete Hegseth, duhet ta kenë kuptuar tashmë se bombardimet nuk mund ta zhdukin rezistencën iraniane. Madje, ato nuk po rezultojnë as efektive ushtarakisht: sipas raportimeve, 70% e arsenalit raketor iranian mbetet ende funksional.
Kërcënimet e Trump për të thyer armëpushimin, ashtu si edhe projekti i dështuar “Project Freedom” në ngushticën e Hormuzit, kundërshtohen nga shtetet e Gjirit që druhen nga sulme hakmarrëse, nga aleatët e Uashingtonit – me përjashtim të Izraelit – si dhe nga shumica e votuesve amerikanë.
Një marrëveshje paqeje që do t’i afrohej marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të negociuar nga Barack Obama – marrëveshje që Trump e rrëzoi më vonë – do të konsiderohej një dështim i madh politik për të. Një zhvillim i tillë do të përfaqësonte një humbje strategjike amerikane me pasoja të rëndësishme në rivalitetin global me Kinën dhe Rusinë.
Trump e di se nuk mund të qëndrojë pa vepruar. Duke lëvizur në mënyrë të pavendosur mes kërcënimeve dhe deklaratave kontradiktore, ai shfaqet herë impulsiv e herë i paqartë. Por problemi nuk është vetëm i tij. Rënia e mbështetjes popullore në rreth 37% mund të jetë e merituar, por përplasja po shkakton pasoja të rënda për miliona njerëz në mbarë botën. Problemi i Trump me Iranin është tashmë problem global.
Në vendet më të varfra, nevoja për t’i dhënë fund luftës është çështje mbijetese. Në Somali, çmimet e produkteve bazë si orizi dhe gruri janë dyfishuar që nga nisja e konfliktit. Mungesa e plehrave kimike rrezikon të shkatërrojë sezonin bujqësor dhe të shkaktojë uri masive. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se, nëse lufta vazhdon, 45 milionë njerëz shtesë mund të përballen me uri akute.
Edhe ekonomitë e zhvilluara po ndjejnë pasojat. Nga Europa në Azi, shtetet po goditen nga rritja e çmimeve të energjisë, karburanteve dhe ushqimeve. Fondi Monetar Ndërkombëtar uli muajin e kaluar parashikimin e rritjes globale për vitin 2026 në 3.1%, duke fajësuar “hijen e luftës”. Praktikisht, qytetarët e zakonshëm në të gjithë botën po paguajnë një “takë lufte” të Trumpit.
Konflikti po ndryshon edhe ekuilibrat gjeopolitikë. SHBA tashmë është në përplasje të hapur me aleatët e saj më të afërt europianë, ndërsa shtetet e Gjirit po vënë në dyshim aleancën me Uashingtonin. Në të njëjtën kohë, Rusia po përfiton nga zbutja e presionit mbi eksportet e saj të naftës, ndërsa Kina po zgjeron ndikimin global.
Sipas autorit, reagimi ndërkombëtar ndaj kësaj lufte mbetet shumë më i dobët nga sa kërkon situata. Ai argumenton se një katastrofë në zgjerim nuk është e pashmangshme dhe se Trump mund të ndalet përmes një presioni të koordinuar diplomatik dhe ekonomik.
Tisdall propozon që Bashkimi Europian, G20, Bashkimi Afrikan dhe grupi BRICS të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj Uashingtonit. Nëse SHBA vazhdon të bllokojë negociatat serioze të paqes, ai sugjeron masa si ulja e marrëdhënieve diplomatike, tarifa ndëshkuese dhe sanksione.
Sipas tij, mënyra më e drejtpërdrejtë për ta ndalur Trumpin mbetet presioni nga vetë amerikanët. Shumica e qytetarëve kundërshtojnë luftën dhe po përballen me rritje të kostos së jetesës. Përpjekjet në Kongres për të frenuar konfliktin duhet të intensifikohen, ndërsa zgjedhjet e ardhshme duhet të shërbejnë si ndëshkim politik për Trumpin dhe mbështetësit e tij republikanë.
Në përfundim, autori paralajmëron se “trumpizmi”, që sipas tij po dëmton vetë SHBA-në, rrezikon të kthehet në një pandemi globale politike. Lufta me Iranin, shkruan ai, është vetëm simptoma më e dukshme e kësaj qasjeje.
