Policia e Lushnjës ka finalizuar operacionin e koduar “Zjarrvënësi”, duke vënë në pranga një 48-vjeçar të dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në qytet, ngjarje që shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale. Në kuadër të operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan shtetasin K. Ç., 48 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur më herët në kërkim policor.
Sipas hetimeve, 48-vjeçari dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 19 maj 2026 i ka vënë zjarrin tregut të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë dhe më pas është larguar, duke u fshehur në qytetin e Durrësit.
Policia dyshon gjithashtu se ai është autor i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë, të cilën e ka përdorur për të lëvizur në qytet dy ditë përpara ngjarjes. Biçikleta është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se pranë të dyshuarit ka qenë edhe një person tjetër, por sipas hetimeve paraprake ai nuk rezulton i përfshirë në zjarrvënie. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë kanë lidhje me rastin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”./kb
