Last Updated on 25/05/2026 by Anisa
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord në parim për një marrëveshje që mund të çojë drejt uljes së tensioneve dhe përfundimit të luftës në Lindjen e Mesme, por miratimi përfundimtar nga liderët e të dyja palëve mund të marrë disa ditë, u tha gazetarëve të dielën një zyrtar i lartë amerikan i cituar nga New York Times.
Marrëveshja do të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe do ta detyronte Iranin të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar në nivele të larta, por mënyra se si Teherani do ta bënte këtë ende po negociohej, tha zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.
Presidenti Trump ka këmbëngulur që Shtetet e Bashkuara ta marrin nën kontroll këtë material, si pjesë e zotimit të tij për të frenuar programin bërthamor të Iranit.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të hënën gjatë një vizite në India se Shtetet e Bashkuara mund të kenë “ndoshta sot” lajme për të njoftuar lidhur me bisedimet me Iranin, pasi të dyja palët nuk arritën marrëveshje të dielën, por shtoi: “Nuk do t’i jepja shumë rëndësi kësaj.”
Për marrëveshjen e propozuar, ai tha: “Kemi atë që mendoj se është një bazë mjaft solide në tryezë sa i përket aftësisë së tyre për të hapur ngushticën, për ta mbajtur të hapur dhe për të hyrë në negociata shumë reale, domethënëse dhe me afat të kufizuar për çështjen bërthamore.”/A.D
