Nga Mentor Kikia
Po publikoj një foto nga profili i kryeministrit. Eshtë “Foto 1”, që tregon një lëndinë të mrekullueshme alpine. Po e postoj për tju kërkuar të shikoni aty, në mes të lëndinës, brazdat e rrugës që kanë krijuar gomat e makinave që udhëtojnë nëpër lëndinat alpine.
“Fotot 2 dhe 3”, tregojnë makinat 4 x 4 që hipin e zbresin nëpër kullota plot lule dhe bar.
Ndërsa “Foto 4” tregon një park të tërë automjetesh malore, që ofrohen për qejflinjtë e makinave, që u hipin maleve majë më majë, e u bien lëndinave alpine cep më cep.
I nderuar z, kryeministër!
Ju, deputetë dhe ministrat e qeverisë tuaj, publikoni shpesh peizazhe natyrore, për të treguar bukuritë e Shqipërisë. Bashkë me natyrën promovohen edhe aktivitete që kanë në qendër gara me makina, motorra, apo udhëtime aventurierësh nëpër pllaja, lëndina e kullota alpine.
Shikoni një foto tjetër, “Nr 8”. Tregon gara me makina në një lëndinë të Parkut Kombëtar Lurë. “Aktivitet promovues, marrin pjesë 650 makina”- thotë organizatori. Të shkojnë ta bëjnë këtë në ndonjë park në ndonjë vend tjetër të Botës, pa e shikojnë.
Përpara se ta promovohen këto biznese apo aktivitete të paligjshme, thërrisni nja 2-3 ekspertë mjedisi dhe pyetini se çfarë u shkaktojnë lëndinave këta përbindësha hekuri?
Modestisht po ua them unë: Po i shkatërrojnë, në mënyrë barbare, pa mëshirë, pa dhimbje.
Për disa kjo mund të jetë e bukur, adrenalinë, aventurë… por për natyrën është shkatërrim. Dhe natyra duhet ruajtur për tu shërbyer edhe brezave që do të vijnë pas nesh.
Shqiptarët, edhe kur shkojnë në plazh, duan të shkojnë me makinë deri tek shezllongu. Edhe në mal janë gati të hipin edhe në pemë me makinë. Por natyra dhe makina e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Mali, lëndinat, pemët, lulet dhe bari shijohen duke ecur me këmbë, duke u shtrirë, duke i ndjerë aromën dhe frymëmarrjen luleve, duke ndjerë zukatjen e bletëve dhe insekteve të tjera, jo duke u xhiruar gomat për sipër.
Z. Kryeministër!
Lëndinat alpine marrin jetë mbi një lloj toke që është humus dhe ranore. Gomat e makinave dhe motorrave, duke e shkelur dhe shkulur barin, i lejojnë ujit ti shndërrojë ato gjurmë rrotash në rrëke, e më pas në kanale. Për pak vite, ato gjurmë shndërrohen në zgavra tokësore. Dhe makinat kërkojnë rrugë të reja pastaj, e rrugët e reja bëhen sërish kanale e zgavra.
Shikojini “Foto 5 dhe 6”. Ky kanal është bërë nga një rrotë makine dhe motorri, dhe tashmë ky aventurier motorrash është duke ecur pikërisht mbi një vend që më parë ka qenë lëndinë.
Shikojeni foto e fundit, Nr 7. Eshtë një foto satelitore. Vijat që shikohen aty janë rrugët që kanë bërë makinat dhe motorrat e aventurierëve të maleve. Ato nuk rikuperohen më, pasi erozioni është më i fuqishëm se mundësia e natyrës për rigjenerim.
Ndalojeni këtë barbari mbi malet zoti kryeministër!
Ne duhet ta disiplinojmë urgjent këtë lloj turizmi shkatërrimtar.
P.S: Disa foto janë marrë nga faqja e inxhinierit të pyjeve dhe aktivistit të mjedisit Abdulla Diku, një denoncues i paepur i dëmit që u bëhet maleve nga biznesi i turizmit me makina!/A.D
