Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është vlerësuar me urdhrin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres” nga shteti francez, një nga nderimet më të rëndësishme që u jepen personaliteteve të artit dhe kulturës për kontributin e tyre në fushën artistike dhe letrare.
Ky vlerësim konsiderohet një tjetër dëshmi e ndikimit ndërkombëtar të Jahos në skenën operistike botërore, duke konfirmuar gjurmën që ajo ka lënë ndër vite në artin klasik.
Në një reagim në rrjetet sociale, sopranoja ka shprehur emocionin dhe mirënjohjen e saj për këtë nder, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në rrugëtimin artistik. Ajo i kushton një falënderim të veçantë Francës, vend që sipas saj e ka pranuar “me bujari” zërin dhe shpirtin e saj artistik.
“Marrja sot e titullit “Chevalier des Arts et des Lettres” është për mua një emocion i jashtëzakonshëm dhe një nder thellësisht i dashur për zemrën time, pasi Franca përfaqëson për mua dashurinë për artin, kulturën dhe të vërtetën njerëzore. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë njerëzit që kanë shoqëruar rrugëtimin tim, dhe veçanërisht për Dominique Riber, agjentin tim besnik prej kaq shumë vitesh, për besimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, si dhe për Jean-Philippe Thieally, pasioni i vërtetë i të cilit për operën dhe përkushtimi i tij bujar e bënë të mundur këtë moment kaq të çmuar. Nuk mund të imagjinoja një vend më të përshtatshëm për këtë ceremoni sesa e rrethuar nga miq të sinqertë, dashamirës të artit dhe një publik që i ka dhënë kuptim të gjitha sakrificave të jetës së një artisti. E pranoj këtë vlerësim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francë që e ke pranuar zërin dhe zemrën time me kaq bujari. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për Ambasadorin e Shqipërisë, z. Dritan Tola, për koktejin e organizuar me këtë rast”, shkruan Ermonela Jaho./A.D
