Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të pranojnë vetëm një marrëveshje të fortë dhe të favorshme me Iranin, duke përjashtuar çdo variant tjetër që, sipas tij, nuk garanton sigurinë amerikane.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump sulmoi kundërshtarët e tij politikë dhe kritikët republikanë, duke i cilësuar si të dobët dhe të paaftë për të kuptuar procesin e negociatave me Teheranin.
Ai u shpreh se marrëveshja me Iranin “ose do të jetë një marrëveshje e madhe dhe domethënëse, ose nuk do të ketë fare marrëveshje”, duke theksuar se çdo dokument i ri do të jetë krejt i kundërt me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të njohur si Joint Comprehensive Plan of Action, e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.
Trump e ka cilësuar më herët atë marrëveshje si një gabim strategjik, duke shtuar se qasja e tij ndaj Iranit nuk do të lejojë, siç tha ai, hapje të rrugës drejt armëve bërthamore.
Deklaratat vijnë në një moment kur negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë prej muajsh, ndërsa palët kanë ulur pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë. Zyrtarët amerikanë kanë lënë të hapur mundësinë e “opsioneve të tjera” nëse diplomacia nuk sjell rezultat./mxh
