Kremlini ka deklaruar se Armenia mund të përballet me humbjen e çmimeve të favorshme të gazit rus nëse distancohet nga integrimi ekonomik me Rusinë dhe orientimi i saj drejt Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mbetet një furnizues i besueshëm energjie për aleatët e saj, duke theksuar se çmimet preferenciale të gazit janë të lidhura me pjesëmarrjen në struktura integruese të udhëhequra nga Moska.
Sipas tij, vende si Armenia përfitojnë çmime shumë më të ulëta për gazin rus krahasuar me tregjet evropiane, por këto kushte nuk mund të zbatohen nëse ndryshon orientimi i integrimit ekonomik.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Armenia, anëtare e Eurasian Economic Union, ka shprehur vitet e fundit afrimitet më të madh me Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe nisjen e procesit ligjor për afrimin me unionin evropian.
Kjo lëvizje ka tensionuar më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Jerevanit, të cilat janë përkeqësuar sidomos pas zhvillimeve në Nagorno-Karabakh në vitin 2023, kur Azerbajxhani mori kontrollin e plotë të rajonit pavarësisht pranisë së paqeruajtësve rusë.
Nga ana e saj, qeveria armene ka deklaruar se synon të ruajë marrëdhënie normale me Rusinë dhe të mos ndërpresë lidhjet ekonomike dhe politike me të.
Çështja e orientimit strategjik të Armenisë pritet të jetë një nga temat kryesore në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në qershor./mxh
