Në Las Vegas është zhvilluar eventi sportiv më i diskutueshëm i viteve të fundit, i quajtur “Enhanced Games”, një lloj Olimpiade ku përdorimi i substancave të dopingut jo vetëm lejohet, por edhe promovohet hapur nga organizatorët.
Rreth 40 atletë elitarë morën pjesë në garat e notit, atletikës dhe ngritjes së peshave, me synimin për të thyer rekordet botërore. Organizatorët kishin vendosur 25 milionë dollarë shpërblime, ndërsa çdo rekord i ri shpërblehej me 1 milion dollarë.
Në këtë event përdorimi i testosteronit, hormoneve të rritjes dhe substancave të tjera të ndaluara nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) konsiderohet pjesë normale e garës. Organizatorët pretendojnë se të gjitha substancat janë të ligjshme dhe të miratuara nga autoritetet amerikane të barnave, por mjekët paralajmërojnë për rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të zemrës, goditje në tru dhe pasoja të pakthyeshme për organizmin.
Projekti është themeluar nga sipërmarrësit Aron D’Souza dhe Maximilian Martin dhe mbështetet nga investitorë të njohur amerikanë, mes tyre miliarderi Peter Thiel dhe Donald Trump Jr.
Një nga figurat më të komentuara të eventit ishte islandezi Hafthor Bjornsson, i njohur për rolin e “Malit” në serialin “Game of Thrones”. Ai pranoi publikisht përdorimin e steroideve dhe deklaroi se në sportin e ngritjes së peshave “askush nuk pretendon seriozisht se dopingu nuk ekziston”.
Nga ana tjetër, shumë federata sportive ndërkombëtare kanë reaguar ashpër ndaj këtij formati, duke e cilësuar atë si një rrezik për sportin dhe për shëndetin e atletëve.
Atleti i parë që arriti të fitojë bonusin prej 1 milion dollarësh ishte notari Kristian Gkolomeev, i cili përfundoi garën 50 metra stil i lirë në 20.81 sekonda, më shpejt se rekordi botëror zyrtar prej 20.88 sekondash./mxh
