Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, është nderuar nga Franca me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres”, një nga dekoratat më të rëndësishme që jepet për figura me kontribut të veçantë në art dhe kulturë.
Lajmin e ka ndarë vetë artistja përmes një mesazhi emocionues, ku e cilësoi këtë vlerësim si një nder të jashtëzakonshëm dhe shumë të rëndësishëm në jetën e saj artistike.
Jaho theksoi se Franca përfaqëson dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat njerëzore, ndërsa shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të saj profesional.
Një falënderim i veçantë shkoi për agjentin e saj afatgjatë, Dominique Riber, si dhe për Jean-Philippe Thiellay, për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj operës.
Sopranoja shqiptare u shpreh gjithashtu se ceremonia mori një kuptim edhe më të veçantë falë pranisë së miqve, dashamirësve të artit dhe publikut që ka vlerësuar punën e saj ndër vite.
Ermonela Jaho konsiderohet sot një nga emrat më të rëndësishëm të operës në arenën ndërkombëtare, me interpretime në skena prestigjioze si Royal Opera House, Metropolitan Opera dhe Teatro alla Scala./mxh
