Last Updated on 26/05/2026 by Anisa
Që prej krijimit në vitin 2019, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar dhjetëra pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si pjesë e hetimeve ndaj personave të dyshuar për korrupsion dhe veprimtari kriminale. Sipas të dhënave zyrtare, janë sekuestruar 64 pasuri të paluajtshme, 26 pasuri të luajtshme dhe 11 subjekte tregtare, nga të cilat 7 janë sekuestruar plotësisht, ndërsa për 4 të tjera janë bllokuar kuotat përkatëse të personave nën hetim.
Pas sekuestrimit, pasuritë administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila i publikon ato dhe në shumicën e rasteve i jep me qira. Aktualisht, 3982 pasuri dhe prova materiale, ku përfshihen apartamente, njësi shërbimi, toka dhe automjete, janë nën mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Gazetarja Anila Hoxha ka treguar në emisionin Top Story detaje nga sekuestrimi i një apartamenti të ish-prokurorit Adriatik Llalla, duke theksuar se pas konfiskimit, prona kaloi në favor të shtetit dhe sot përdoret si qendër sociale dhe kulturore.
“Më publikja është rastri i konfiskimit të një apartamentit të konstatuar gjatë hetimit të ish-prokurorit Adriatik Llalla, pasuri e cila u konsiderua e pajustifikuar, e ardhur nga veprimtari e paligjshme. Për këtë arsye ajo nga sekuestrimi më pas, kaloi në favor të shtetit si e konfiskuar. Sot, apo prej disa vitesh, kjo pasuri, ky apartament, që është pronë e shtetit shqiptar përdoret për aktivitete dhe si qendër sociale dhe kulturore.
Jemi duke folur pas dënimit të z. Llalla, i cili kur u dënua, u largua nga Shqipëria dhe menjëherë paralelisht u vendos sekuestrim dhe konfiskim. Në momentin që iu vendos konfiskimi, kjo pasuri nuk u shit, por i kaloi, më shumë edhe për të dhënë një mesazh domethënës, kaloi për përdorim social. Një apartament përmbi 100 mijë euro në Durrës”, tha ndër të tjera gazetarja.
