Të paktën dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi ajror izraelit që goditi një automjet në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.
Sipas mjekëve vendas, sulmi ndodhi të martën, ndërsa ushtria izraelite konfirmoi për mediat se bëhej fjalë për një “goditje të targetuar”, pa dhënë detaje të tjera mbi objektivin.
Pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar muaj më parë nga Shtetet e Bashkuara, sulmet izraelite në Gaza kanë vijuar. Negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit mbeten të bllokuara, veçanërisht për fazën e dytë të marrëveshjes, e cila parashikon çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e ushtrisë izraelite nga territori palestinez.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, rreth 900 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit. Nga ana tjetër, ushtria izraelite raportoi për katër ushtarë të vrarë gjatë të njëjtës periudhë.
Aktualisht, Izraeli kontrollon më shumë se gjysmën e territorit të Gazës, ndërsa Hamasi vazhdon të mbajë nën kontroll një pjesë të ngushtë bregdetare. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vazhdon thirrjet për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit./mxh
