Kompanitë më të mëdha ruse janë të gatshme të financojnë blerjen e armëve më të rënda dhe sistemeve elektronike për të mbrojtur objektet industriale nga sulmet me dronë ukrainas. Kjo u deklarua nga kreu i Unionit të Industrialistëve dhe Sipërmarrësve rusë, Alexander Shokhin, gjatë një takimi me presidentin Vladimir Putin.
Sipas Shokhin, sulmet e vazhdueshme me dronë ndaj rafinerive të naftës, depove të karburantit, porteve dhe uzinave industriale kanë detyruar bizneset të kërkojnë masa më të forta mbrojtjeje.
Ai tha se kompanitë nuk kanë më nevojë vetëm për armë të lehta si kallashnikovët e kalibrit 7.62, por edhe për sisteme të avancuara të luftës elektronike, instalime me lazer dhe pajisje të tjera mbrojtëse.
“Bizneset janë të gatshme të financojnë gjithë këtë proces, por nevojitet një mekanizëm i qartë financimi,” deklaroi Shokhin para presidentit rus.
Aktualisht, qeveria ruse ka autorizuar përdorimin e armëve automatike nga kompanitë private të sigurisë që ruajnë objektet industriale, si edhe aktivizimin e rezervistëve për mbrojtjen e tyre.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të biznesit, lëvizja e shpeshtë e njësive mbrojtëse nga një objekt në tjetrin po dobëson sigurinë në terren.
Takimi vjen në një moment kur sulmet me dronë në territorin rus janë shtuar ndjeshëm, duke goditur sektorë kyç të ekonomisë dhe infrastrukturës energjetike të vendit./mxh
