Qindra protestues u përplasën me policinë në qytetin turk të Izmirit gjatë demonstratave në mbështetje të liderit të larguar të Partisë Popullore Republikane, Ozgur Ozel.
Policia përdori autobote me ujë për të shpërndarë turmën, pasi protestuesit marshuan drejt qendrës së qytetit pavarësisht ndalimit të vendosur nga autoritetet lokale. Pamjet nga protesta treguan një demonstrues që hipi mbi automjetin e policisë dhe e goditi me shqelma ndërsa përdorej kundër turmës.
Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt një sheshi tjetër ku tubimi ishte lejuar nga zyra e guvernatorit. Nga aty, Ozgur Ozel iu drejtua mbështetësve të tij nga maja e një autobusi.
Kriza politike shpërtheu pas vendimit të gjykatës turke javën e kaluar për të anuluar rezultatet e kongresit të vitit 2023 të CHP-së, ku Ozel ishte zgjedhur kryetar. Gjykata argumentoi se procesi ishte shoqëruar me parregullsi dhe riktheu në krye të partisë ish-liderin Kemal Kilicdaroglu.
Partia opozitare e ka cilësuar vendimin si një ndërhyrje politike dhe akuzon gjykatën se po vepron në favor të partisë në pushtet të presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Situata vjen në një moment tensionesh të larta politike në Turqi, ndërsa autoritetet po shtojnë presionin ndaj opozitës kryesore në vend./mxh
