Një komandant i lartë ushtarak ukrainas paralajmëroi të mërkurën (27 maj) se Ukraina ka përgatitur një listë me 500 objektiva në Bjellorusi, në rast se udhëheqësi i vendit, Aleksandër Lukashenko, vendos të përfshihet në luftën në krah të Vladimir Putinit.
Robert “Magyar” Brovdy, komandant i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, i bëri thirrje Bjellorusisë të mos ndërhyjë në konfliktin e vazhdueshëm Rusi–Ukrainë.
Në një postim në Facebook, i cituar nga agjencia Ukrinform, ai tha se “Për Galaiterin e Minskut Lukashesku: një qen që leh nuk kafshon. Një zog grabitqar është ndryshe. 500 objektivat e parë janë tashmë në listë. Këshilla falas dhe shumë praktike: mos i pengoni Ukrainës.”
Paralajmërimi i Brovdy vjen pas tensioneve të rritura mes Kievit dhe Minskut përgjatë kufirit verior. Javën e kaluar, Rusia dhe Bjellorusia zhvilluan ushtrime të përbashkëta bërthamore, ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Bjellorusia mund të shërbejë si trampolinë për hapjen e një fronti të ri në Ukrainën veriore.
Kujtojmë se gjatë pushtimit fillestar rus më 24 shkurt 2022, disa trupa ruse hynë në Ukrainë nga territori bjellorus.
Paralajmërimi i Kievit erdhi gjithashtu pas kërcënimeve nga Moska për të kryer “sulme sistemike” në kryeqytetin ukrainas, duke u kërkuar diplomatëve dhe qytetarëve të huaj të largoheshin nga Kievi.
Autoritetet ruse u bënë thirrje banorëve të shmangin objektet ushtarake dhe qeveritare, megjithatë deri të mërkurën pasdite nuk pati largime diplomatike nga kryeqyteti ukrainas./kb
