Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi autoritetet doganore zbuluan 114.6 kilogramë kokainë të fshehura në kamionin që ai drejtonte. Sasia e konsiderueshme e drogës u sekuestrua gjatë një kontrolli në pikën e pagesës së autostradës në Arles, në jug të vendit.
Sipas mediave franceze, operacioni u zhvillua gjatë natës mes 18 dhe 19 nëntorit, kur efektivët e doganave ndaluan për kontroll rutinë kamionin me targa italiane, i cili transportonte mallra për një rrjet të madh tregtar.
Gjatë verifikimeve, autoritetet zbuluan se droga ishte fshehur në mbajtësen e bobinave të kamionit, një pjesë e përdorur për stabilizimin e ngarkesës. Pas kontrollit, u konfirmua sekuestrimi i 114.6 kilogramëve kokainë.
Pas arrestimit, shoferi iu dorëzua Zyrës së Luftës kundër Narkotikëve në policinë gjyqësore të Marsejës dhe u vendos në paraburgim, në pritje të daljes para gjykatës.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari ka mohuar çdo përfshirje në trafikimin e drogës, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për lëndën narkotike të fshehur në kamion dhe se ajo ishte vendosur aty pa dijeninë e tij. Sipas mediave franceze, ai nuk rezultonte me precedentë penalë në Francë.
Shoferi pritet të përballet me akuza për mbajtje, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për transport të mallrave të ndaluara në kundërshtim me legjislacionin doganor francez.
Ai do të paraqitet në Gjykatën në Tarascon për një seancë të menjëhershme dëgjimore këtë të martë, më 24 nëntor./ad
