Përgatiti: Leonard Veizi
Në nëntorin e vitit 1943, ndërsa Lufta e Dytë Botërore kishte hyrë në një fazë vendimtare, udhëheqësit e tri fuqive aleate u mblodhën në Kajro të Egjiptit për të diskutuar një front lufte që ende kërkonte përpjekje të mëdha: mposhtjen e Japonisë.
Presidenti amerikan Franklin Delano Ruzvelt, kryeministri britanik Uinston Çërçill dhe udhëheqësi kinez Çang Kaj-çek u takuan në një rezidencë pranë piramidave të Gizës, në pronësi të ambasadorit amerikan në Egjipt, Aleksandër Kirk. Ishte një takim me rëndësi strategjike, sepse për herë të parë tre udhëheqësit diskutuan së bashku, në një tryezë të përbashkët, objektivat ushtarake dhe politike për përfundimin e luftës kundër Japonisë.
Në atë kohë, Japonia vazhdonte të kontrollonte territore të gjera në Azinë Lindore dhe Paqësor. Kina, e cila prej vitesh po përballonte pushtimin japonez, ishte një nga frontet kryesore të kësaj lufte. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Britania po përgatitnin operacione të reja ushtarake për të dobësuar pozitat japoneze dhe për të rimarrë territoret e pushtuara.
Bisedimet përfunduan me hartimin e Deklaratës së Kajros, e cila u bë publike më 1 dhjetor 1943, përmes një komunikate radiofonike. Dokumenti përcaktonte qartë synimet e Aleatëve: Japonia duhej të humbiste të gjitha territoret që kishte pushtuar me forcë ose lakmi, ndërsa territoret e marra prej saj nga Kina, përfshirë Mançurinë, Formozën (Tajvanin) dhe ishujt Peskadores, do t’i riktheheshin Kinës.
Deklarata parashikonte gjithashtu rikthimin e pavarësisë së Koresë, e cila ndodhej nën sundimin kolonial japonez që prej vitit 1910. Mesazhi politik ishte i prerë: lufta do të vazhdonte deri në dorëzimin e pakushtëzuar të Japonisë.
Konferenca e Kajros u pasua menjëherë nga një tjetër takim madhor diplomatik, Konferenca e Teheranit, ku Ruzvelti, Çërçilli dhe udhëheqësi sovjetik Josif Stalin diskutuan strategjinë e përgjithshme të luftës kundër Gjermanisë naziste dhe aleatëve të saj.
Kajroja shënoi kështu një moment të rëndësishëm në diplomacinë e koalicionit antifashist. Në një luftë që zhvillohej në disa kontinente, Aleatët nuk po diskutonin më vetëm se si të fitonin betejat, por edhe se si duhej të riorganizohej harta politike e botës pas kapitullimit të fuqive të Boshtit. Deklarata e Kajros do të bëhej një nga dokumentet që përcaktuan kushtet politike të përfundimit të luftës në Azi.
