Last Updated on 27/05/2026 by EL
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Ulqinit, ku një 46-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë partneren e tij, shtetase shqiptare, dhe më pas i ka vënë flakën banesës ku jetonin bashkë.
Sipas policisë malazeze, i dyshuari është Bashkim Gashi, i cili u arrestua pas ngjarjes që ndodhi gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës në lagjen Kodre të Ulqinit.
Autoritetet raportuan se rreth orës 00:30 janë njoftuar për një zjarr në një banesë. Menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia gjeti trupin e pajetë të një gruaje, e identifikuar më vonë si D.N. (36 vjeç), shtetase e Shqipërisë.
Pak më vonë, policia lokalizoi dhe vuri nën kontroll Bashkim Gashin, i cili kishte pësuar djegie nga zjarri. Ai fillimisht u dërgua për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar dhe më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, ku ndodhet nën mbikëqyrje policore.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se Gashi ka kryer vrasjen e partneres së tij dhe më pas ka shkaktuar zjarrin në banesë, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes./ET
