Investimet më të mira në Europë për blerje me qëllim dhënien me qira nuk ndodhen më në qytetet më të shtrenjta. Ja dhjetë tregjet e eurozonës ku të ardhurat nga qiraja janë më të lartat, me një vend të parë surprizues.
Nëse do të vizatonim një hartë të vendeve ku zakonisht përqendrohen investimet në pasuri të paluajtshme në Euvropë, pikat më të nxehta do të ishin të parashikueshme: bulevardet e Parisit, zona e kanaleve në Amsterdam dhe lagjet elegante të Mynihut.”
“Adresa prestigjioze. Likuiditet i lartë. Tregje të pasurive të paluajtshme ku çmimet janë rritur pothuajse vetëm në një drejtim për dekada me radhë.
Por nëse do të vizatonim një hartë të dytë, këtë herë për të treguar se ku pronarët fitojnë të ardhurat më të larta nga qiraja për çdo euro të investuar, shumë prej këtyre qyteteve do të zhdukeshin nga lista.
Të dhëna të reja nga Global Property Guide, të verifikuara me portalet lokale të pasurive të paluajtshme si Immobiliare.it, Idealista, Fotocasa, Habitaclia dhe Daft, tregojnë se disa nga mundësitë më të mira në Evropë për investime “buy-to-let” nuk janë më të përqendruara në qendrat tradicionale të tregut të pronave, por në tregje rajonale të nënvlerësuara, veçanërisht në Europën Jugore.”
Më poshtë është renditja e dhjetë qyteteve të eurozonës ku fitimet bruto nga qiraja — qiraja vjetore e pjesëtuar me çmimin e blerjes, para taksave, mirëmbajtjes, tarifave dhe kostove të tjera — janë më të lartat në vitin 2026.
- Roma: Fitimi mesatar nga qiraja 7.12%
Roma hyn në renditje në vendin e 10-të, por kryeqyteti italian tregon një nga kontrastet më të qarta të tregut europian të pronave: prestigji përballë të ardhurave.
Në qendrën historike — rreth Panteonit, Piazza Navona-s dhe Trastevere-s — blerësit ndërkombëtarë konkurrojnë për një ofertë të kufizuar banesash, duke rritur ndjeshëm çmimet dhe duke ulur fitimet nga qiraja.
Një apartament me një dhomë gjumi në qendër të Romës kushton 472,500 euro, por jep vetëm 2,170 euro qira në muaj, që përkthehet në një fitim bruto vjetor nga qiraja prej 5.51%.
Jashtë qendrës historike, megjithatë, llogaritë bëhen dukshëm më të favorshme.
Në gjithë qytetin, një apartament me një dhomë gjumi kushton mesatarisht rreth 225,000 euro dhe jepet me qira për rreth 1,450 euro në muaj, duke i çuar fitimet afër 7.7%. Kthimi më i lartë vjen nga njësitë më të vogla: një garsoniere prej 149,000 eurosh, që jepet me qira për 1,000 euro në muaj, sjell 8.05%.
Në Romë, pamja “si kartolinë” shpesh vjen në kurriz të të ardhurave nga qiraja.
- Dublini: Fitimi mesatar nga qiraja 7.22%
Mungesa e banesave në Dublin vazhdon të mbështesë disa nga qiratë më të larta në Evropë.
Kryeqyteti i Irlandës, shtëpia e Guinness-it, e dyerve gjeorgjiane të Merrion Square dhe e një sektori teknologjik që e mban vazhdimisht të ngushtë tregun e qirave — ofron një fitim mesatar nga qiraja prej 7.22%.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 295,000 euro dhe jepet me qira për 2,000 euro në muaj, që përkthehet në një fitim bruto nga qiraja prej 8.14%. Ky lloj apartamenti është gjithashtu më fitimprurësi në qytet.
Në të gjithë Irlandën, çmimet e banesave pothuajse janë dyfishuar që nga viti 2012, duke u rritur me 99% në terma nominalë, ndërsa qiratë janë rritur me 71% gjatë së njëjtës periudhë.
- Napoli: Fitimi mesatar nga qiraja 7.22%
Napoli barazohet me Dublinin për fitimin nga qiraja, por është shumë më i lirë në çmim.
Në qytetin e picës Margherita, me Vezuvin në horizont dhe Spaccanapoli-n që përshkon qendrën e vjetër të mbrojtur nga UNESCO, një apartament me një dhomë gjumi kushton 145,500 euro dhe jepet me qira për 950 euro në muaj — një fitim bruto prej 7.84%.
Megjithatë, më e spikatura është garsonierja më ekonomike: me një çmim prej vetëm 70,000 eurosh dhe qira mujore 700 euro, ajo sjell një fitim bruto mbresëlënës prej 12%, ndër më të lartët në renditje.
Kërkesa e fortë nga studentët dhe turizmi gjatë gjithë vitit vazhdojnë të mbështesin normat e zënies për apartamentet më të vogla.
- Barcelona: Fitimi mesatar nga qiraja 7.40%
I vetmi qytet spanjoll në renditje, shtëpia e Sagrada Família-s së Gaudí-t, orës së vermutit dhe FC Barcelonës, ka një fitim mesatar nga qiraja prej 7.40% në të gjitha zonat.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 240,000 euro dhe jepet me qira për 1,590 euro në muaj, që përkthehet në një fitim bruto nga qiraja prej 7.95%. Apartamentet me një dhomë gjumi janë gjithashtu kategoria më fitimprurëse e qytetit sipas këtij treguesi.
Megjithatë, tregu i banesave në Barcelonë po përcaktohet gjithnjë e më shumë nga mungesa e ofertës.
Oferta e pronave me qira në Katalonjë mbetet pranë niveleve historikisht të ulëta, ndërsa kërkesa vazhdon të vijë nga turistët, studentët, punonjësit në distancë dhe banorët e huaj.
“Banesa të përballueshme në Barcelonë thuhet se po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur, pasi oferta e banesave me qira në të gjithë Katalonjën mbetet në nivele historikisht të ulëta,” tha Lalaine Delmendo, analiste tregu në Global Property Guide.
“Madridi vazhdoi të kryesonte për nga vëllimi absolut i transaksioneve, ndërsa rritje më e fortë vjetore u vu re në disa tregje të tjera të mëdha, veçanërisht në Barcelonë dhe Sevilje,” shtoi Delmendo.
- Riga: Fitimi mesatar nga qiraja 7.47%
Kryeqyteti i Letonisë, i njohur për arkitekturën Art Nouveau, kullat e qendrës së vjetër mesjetare dhe Tregun Qendror të ndërtuar brenda ish-hangarëve të Zeppelinëve ofron disa nga fitimet më të forta nga qiraja në Evropë, edhe pse rritja afatgjatë e çmimeve ka qenë e dobët.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 125,000 euro dhe jepet me qira për 750 euro në muaj, duke sjellë një fitim bruto prej 7.20%, ndërsa kthimi më i mirë vjen nga njësitë më të mëdha: një apartament me dy dhoma gjumi prej 187,000 eurosh sjell 8.34%.
Kompromisi është rritja e vlerës së kapitalit. Gjatë pesë viteve të fundit, çmimet reale në Riga kanë rënë me 23.66%, ndërsa rritja nominale ka qenë vetëm 3.77%.
Kjo ngecje është njëkohësisht rreziku dhe arsyeja që i tërheq investitorët: vlerësim i dobët i pronës, por çmime hyrëse mjaftueshëm të ulëta që të ardhurat nga qiraja të jenë pjesa kryesore e investimit.
- Torino: Fitimi mesatar nga qiraja 7.68%
Kryeqyteti i parë i Italisë, qyteti i Mole Antonelliana-s dhe vendlindja e çokollatës gianduiotto fsheh një mundësi të leverdishme për investime në prona me qira pas madhështisë së tij baroke.
Prej kohësh në hijen e Milanos, ish-qendra industriale e Fiat-it kombinon kosto më të ulëta blerjeje me kërkesë të fortë nga studentët, punësim në fushën e inxhinierisë dhe një skenë kulturore e gastronomike në rritje, e përqendruar rreth Piazza Castello-s dhe brigjeve të lumit Po.
Shifrat janë mbresëlënëse. Një apartament me një dhomë gjumi në Torino kushton rreth 99,000 euro dhe jepet me qira për afërsisht 850 euro në muaj — mjaftueshëm për të gjeneruar fitime bruto mbi 10%.
Kthime të tilla po bëhen gjithnjë e më të rralla në qytetet e mëdha të Evropës Perëndimore.
Në qendrën historike, megjithatë, panorama ndryshon shpejt.
Atje, apartamentet me një dhomë gjumi kushtojnë rreth 255,000 euro dhe sjellin afërsisht 1,200 euro qira mujore, duke i ulur fitimet në rreth 5.6%.
- Jyväskylä: Fitimi mesatar nga qiraja 8.02%
Qyteti universitar finlandez Jyväskylä është ndoshta surpriza më e madhe e kësaj renditjeje.
I vendosur në rajonin e liqeneve të Finlandës, mes Helsinkit dhe Laplandës, Jyväskylä ka koleksionin më të madh në botë të ndërtesave të projektuara nga Alvar Aalto dhe çdo verë mbush rrugët me motorët e Kampionatit Botëror të Rally-t.
Gati një e treta e banorëve të tij janë studentë.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 90,000 euro dhe jepet me qira për 680 euro në muaj, që përkthehet në një fitim bruto nga qiraja prej 9.07%. Apartamentet me një dhomë gjumi janë gjithashtu qartësisht tipi i banesës me performancën më të mirë ndër ato të analizuara.
Kërkesa e fortë nga studentët dhe çmimet relativisht të ulëta të pronave e bëjnë Jyväskylä-n qytetin me fitimin më të lartë nga qiraja në Evropën Veriore brenda eurozonës.
- Cork: Fitimi mesatar bruto 8.20%
Qyteti i dytë më i madh i Irlandës, i ndërtuar mbi ishujt moçalorë të lumit Lee, krenar për tregun ushqimor English Market dhe mishin e tij me erëza, renditet i treti.
Cork kërkon çmime hyrëse shumë më të ulëta se Dublini, ndërkohë që tërheq kërkesë të qëndrueshme për qira nga një ekonomi lokale në rritje.
Qyteti në jug të Irlandës përfiton nga investimet farmaceutike, një sektor teknologjik në zgjerim dhe rritje e fortë e popullsisë.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 235,000 euro dhe jepet me qira për 1,600 euro në muaj, që përkthehet në një fitim bruto nga qiraja prej 8.17%. Njësitë më të mëdha performojnë edhe më mirë: apartamentet me dy dhoma gjumi sjellin kthimet më të larta në qytet.
Në Irlandë, Cork po spikat gjithnjë e më shumë si një treg i nxitur nga të ardhurat nga qiraja, jo nga çmimet e bazuara te prestigji.
- Palermo: Fitimi mesatar nga qiraja 8.25%
Kryeqyteti i Sicilisë, një qytet me katedrale normane, gjallërinë e tregut të rrugës Ballarò dhe një kulturë ushqimi rruge të ndërtuar mbi arancine dhe panele, renditet vetëm një hap larg vendit të parë.
Palermo ndërthur tërheqjen e stilit mesdhetar të jetesës me nivele çmimesh që mbeten jashtëzakonisht të ulëta për standardet e Evropës Perëndimore.
Një apartament me një dhomë gjumi kushton 85,000 euro dhe jepet me qira për 700 euro në muaj, duke sjellë një fitim bruto prej 9.88%.
Edhe apartamentet më të mëdha mbeten relativisht të lira.
Një apartament me dy dhoma gjumi kushton mesatarisht 115,000 euro dhe jepet me qira për rreth 800 euro në muaj, që përkthehet në një fitim prej afërsisht 8.3%.
“Disa zona të Sicilisë ofrojnë banesa çuditërisht të përballueshme. Italia ka gjithashtu stimuj tatimorë për banorët e rinj, të cilët mund të bëjnë diferencën për të huajt që zhvendosen atje,” tha Mikk Kalmet, ekspert global i pasurive të paluajtshme në Global Property Guide.
- Katania: Fitimi mesatar nga qiraja 9.17%
Fitimi më i lartë nga qiraja në eurozonë i takon një qyteti të ndërtuar me gur të zi vullkanik, nën hijen e malit Etna.
Katania, me katedralen e saj baroke dhe gjallërinë e hershme të mëngjesit në tregun e peshkut Pescheria kryeson renditjen me një fitim mesatar nga qiraja prej 9.17%.
Shifrat pas këtij rezultati janë mbresëlënëse. Një apartament me një dhomë gjumi kushton rreth 70,000 euro dhe jepet me qira për 650 euro në muaj, duke sjellë një fitim bruto prej 11.14%.
Garsonierja më ekonomike performon edhe më mirë, duke kthyer 12% mbi një investim prej 51,000 eurosh, çmimi më i ulët në të gjithë këtë listë.
Katania ndodhet gjithashtu rreth 50 kilometra nga Taormina, një nga destinacionet më të lakmuara të pushimeve në Mesdhe, çka mbështet një treg qirash afatshkurtra që funksionon pothuajse gjatë gjithë vitit.
Sipas të dhënave, Katania është tregu më i fortë në eurozonë për investime në prona me qira në vitin 2026./ Euronews -a.d
