Turqit kryesojnë në vitin 2025, me mbi 13.000 persona, të ndjekur nga gjeorgjianët (10.475), sirianët (8.370) dhe shqiptarët (8.020).
Kthimet e emigrantëve nga BE-ja po rriten, por cilat vende po kryejnë më shumë deportime?
Vitet e fundit, numri i emigrantëve dhe i kërkuesve të azilit po ulet, ndërsa urdhrat për kthim po rriten, me Gjermaninë, Francën dhe Suedinë në krye, ndërsa BE-ja duket se po i përmbahet premtimeve për një kontroll më të rreptë të kufijve.
Në të njëjtën kohë, qeveria greke ka dorëzuar sot (26/5) në Parlament projektligjin për “Zbatimin e Paktit për Migracionin dhe Azilin”, duke shënuar fillimin e aplikimit edhe në Greqi të politikës së re dhe më të ashpër evropiane të migracionit që është formësuar vitet e fundit në nivel të Bashkimit Evropian.
Në përgjithësi në BE, gjithsesi, po hyjnë gjithnjë e më pak migrantë krahasuar me disa vite më parë, ndërsa urdhrat për kthim po rriten, sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, të cilat pasqyrojnë një prirje afatmesme dhe jo një ndryshim të përkohshëm. Që nga viti 2022, numri i migrantëve të rinj që hyjnë në BE ka rënë vazhdimisht, nga 5,4 milionë në 4,5 milionë në vitin 2024 (-24%).
Në vitin 2025, numri i personave që kërkuan azil dhe që morën mbrojtje gjithashtu u ul, duke arritur në 361.000 – niveli më i ulët që nga viti 2019.
BE thotë se do të ketë “sistemin më modern të menaxhimit të kufijve në botë”
Çështja nuk është vetëm që të vijnë më pak njerëz në Evropë, por edhe fakti se kanë rritur si dëbimet ashtu edhe kthimet nga kontinenti. Urdhrat për kthim arritën pothuajse gjysmë milioni vitin e kaluar, niveli më i lartë që nga viti 2019. Ndërsa në praktikë u kthye vetëm një pjesë e vogël, dëbimet e vitit të kaluar (155.000) ishin më të lartat që nga viti 2020.
Komisioneri Evropian për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha në “Europe in Motion” se blloku ndodhet “në vijën përfundimtare të reformës më të madhe të sistemit evropian të azilit dhe migracionit deri tani”.
“Së bashku me këtë, po forcojmë mbrojtjen e kufijve tanë të jashtëm, duke vendosur sistemin më modern të menaxhimit të kufijve në botë – sistemin hyrje/dalje”, tha ai, duke shtuar se BE po forcon edhe bashkëpunimin me vendet e treta për menaxhimin e migracionit dhe parandalimin e kalimeve të paligjshme dhe trafikimit të migrantëve, por se “ka ende shumë punë për t’u bërë”.
Politikë më e ashpër migracioni edhe në Greqi
Sa i përket projektligjit të Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit, ai përfshin dispozitat kryesore të Paktit të ri Evropian për Migracionin dhe Azilin dhe synon të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e menaxhimit të flukseve migratore, duke theksuar shpejtësinë e procedurave, kontroll më të fortë të kufijve të jashtëm dhe përshpejtimin e kthimeve të atyre që nuk kanë të drejtë mbrojtjeje ndërkombëtare – të cilët, sipas ministrit Thanos Plevris, duhet të shkojnë në burg nëse nuk largohen nga vendi.
Filozofia bazë e kuadrit të ri është: regjistrim më i shpejtë, shqyrtim më i shpejtë i kërkesave për azil dhe kthim i menjëhershëm për ata që refuzohen.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është vendosja e një procedure të detyrueshme kontrolli paraprak (screening) për të gjithë shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në mënyrë të parregullt në kufijtë e jashtëm të BE-së. Kjo përfshin verifikimin e identitetit, marrjen e shenjave të gishtave dhe të dhënave biometrike, kontrolle sigurie dhe kontrolle bazë shëndetësore.
Një tjetër element kyç është përshpejtimi i shqyrtimit të kërkesave për azil, veçanërisht në kufij, me afate strikte që në shumë raste e çojnë të gjithë procesin e azilit dhe kthimit në rreth 12 javë. Kjo synon të ulë numrin e rasteve të mbetura pezull dhe presionin mbi strukturat pritëse.
Gjithashtu parashikohet që ata që nuk marrin mbrojtje ndërkombëtare të dërgohen menjëherë në procedurë kthimi, me forcim të kontrolleve dhe mundësi qëndrimi në struktura të mbyllura ose të kontrolluara pranë kufijve.
“Bëje si Meloni”
Kuadri i ri përfshin gjithashtu idenë e përdorimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së, një debat që është intensifikuar në Evropë, me Italinë që ka eksperimentuar dërgimin e migrantëve në Shqipëri – edhe pse gjykatat italiane kanë bllokuar pjesërisht këtë praktikë.
Po ashtu, forcohet bashkëpunimi me agjencitë evropiane, veçanërisht me Frontex, për menaxhimin e kufijve dhe kthimeve.
Përmirësohen edhe sistemet e regjistrimit dhe identifikimit përmes Eurodac-ut të ri, që parashikon mbledhje më të gjerë të të dhënave biometrike dhe shkëmbim më të shpejtë informacioni mes shteteve anëtare.
Cilat vende të BE-së dëbojnë më shumë migrantë?
Turqit janë grupi me më shumë kthime në vitin 2025, me mbi 13.000 persona, të ndjekur nga gjeorgjianët (10.475), sirianët (8.370) dhe shqiptarët (8.020).
Gjermania kryeson me rreth 30.000 dëbime, e ndjekur nga Franca me rreth 15.000 dhe Suedia me mbi 11.000. Greqia ndodhet në mes të renditjes me 5.080 dëbime në vitin 2025, ndërsa Qipro ka realizuar më shumë se dyfishin (10.630).
Cila vendos më shumë urdhra kthimi?
Franca ka lëshuar shumë më tepër urdhra kthimi se Gjermania (138.000 kundrejt 55.000 në vitin 2025). Spanja ka lëshuar 54.000, ndërsa Holanda 32.000.
Hendeku mes urdhrave të kthimit dhe kthimeve reale shpjegohet me faktorë të ndryshëm: shpesh nuk përcaktohet vendi i origjinës, ka vonesa shëndetësore ose raste të veçanta si të miturit e pashoqëruar.
Kontrolli i kufijve: cilat vende bëjnë më shumë “pushbacks”?
Numri i personave të refuzuar në kufij është rritur në 2025 krahasuar me 2024 dhe 2023, duke arritur në 133.000 raste.
Polonia raporton numrin më të lartë të refuzimeve në kufi, rreth 30.000, e ndjekur nga Franca me mbi 12.000. Greqia renditet në vendin e nëntë me 5.650 raste të pushbacks./fjala.al-a.d
