Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Pasi Rusia i kërkoi diplomatëve të huaj të largohen nga Kievi, ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Me anë të një postimi zyrtar në X, ministri Hoxha u shpreh se Shqipëria nuk do të tërhiqet nga Kievi dhe nuk do të intimidohen.
“Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm.
Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi.
Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.
E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.
Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë”, u shpreh ministri Hoxha në X./a.d
