Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Një vit me temperatura rekord duket pothuajse i pashmangshëm deri në vitin 2030, ndërsa kriza klimatike po thellohet, paralajmëron Organizata Botërore Meteorologjike e OKB-së.
Sipas raportit, rekordi global i temperaturave mund të thyhet që në vitin 2027, pasi fenomeni El Niño pritet të rikthehet më vonë këtë vit.
Ndërkohë, emetimet e dioksidit të karbonit nga lëndët djegëse fosile vijojnë të rriten. Kjo bën që në atmosferë të grumbullohet më shumë nxehtësi dhe shton gjasat për mot ekstrem, si vala rekord e të nxehtit që ka përfshirë këtë javë Mbretërinë e Bashkuar dhe Europën.
Ngrohja globale vlerësohet se tashmë po shkakton humbjen e një jete çdo minutë, ndërsa pasojat pritet të bëhen edhe më të rënda nëse emetimet nuk ulen shpejt.
Raporti, i hartuar për WMO nga Met Office në Mbretërinë e Bashkuar, parashikon 86% gjasa që të paktën një nga vitet 2026-2030 të jetë më i nxehtë se viti 2024, i cili mban aktualisht rekordin. Gjithashtu, ka 75% gjasa që temperatura mesatare gjatë kësaj periudhe pesëvjeçare të jetë mbi 1.5°C më e lartë se nivelet paraindustriale.
Simon Stiell, kreu i OKB-së për klimën, deklaroi se vala e fundit e të nxehtit në Europë është një kujtesë e ashpër e pasojave gjithnjë në rritje të krizës klimatike, si për njerëzit ashtu edhe për ekonominë. Sipas tij, edhe pjesë të tjera të botës, si India dhe vende të tjera të Azisë, po përballen me pasoja të rënda.
“Mbrotja e jetëve njerëzore, e bizneseve dhe e ekonomive nga temperaturat ekstreme dhe kostot në rritje të ndryshimeve klimatike duhet të jetë prioritet për çdo shtet. Dhe kjo nis me largimin shumë më të shpejtë nga varësia ndaj lëndëve djegëse fosile,” tha ai, duke theksuar se energjia e pastër tashmë është më e lirë dhe prodhohet më shpejt se energjia nga karburantet fosile.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se rritja e temperaturës globale me më shumë se 1.5°C mund të sjellë valë më të rënda të të nxehtit, thatësira, stuhi dhe përmbytje, duke e bërë edhe më të vështirë përshtatjen e komuniteteve me ndryshimet klimatike. Megjithatë, çdo rritje temperature që shmanget ndihmon në uljen e dëmeve.
Objektivi i Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale matet në një periudhë 20-vjeçare, por tani konsiderohet gjithnjë e më i vështirë për t’u arritur. Sidoqoftë, objektivi më i dobët prej 2°C mbetet ende i mundur, nëse ndërmerren masa urgjente. Raporti i WMO-së vlerëson se ka më pak se 1% gjasa që ndonjë vit mes 2026 dhe 2030 të kalojë pragun prej 2°C mbi mesataren paraindustriale.
Temperaturat globale pritet të rriten edhe më shumë nga fenomeni El Niño, një model natyror dhe ciklik i motit që tani parashikohet të shfaqet deri në fund të vitit. Sipas parashikimit të fundit të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike të SHBA-së, ka 96% gjasa që El Niño të ndodhë gjatë periudhës dhjetor 2026-shkurt 2027. Ndërkohë, mundësia për një El Niño shumë të fuqishëm është 35%.
El Niño krijohet nga ndryshimet e erërave në Oqeanin Paqësor, të cilat bëjnë që nxehtësia e grumbulluar në oqean të çlirohet në atmosferë. Dr. Leon Hermanson, autori kryesor i raportit të WMO-së, tha se El Niño i parashikuar për fundin e vitit 2026 rrit mundësinë që viti pasues, 2027, të jetë viti i ardhshëm me temperatura rekord.
Met Office është qendra kryesore e WMO-së për parashikimet klimatike vjetore deri në dekadale dhe përmbledh të dhëna nga 13 institute në mbarë botën. Raporti i ri parashikon se pesë dimrat e ardhshëm në Arktik do të jenë 2.8°C më të ngrohtë se mesataret e fundit, çka do të thotë se ky rajon po ngrohet më shumë se tri herë më shpejt se mesatarja globale.
Raporti përfshin edhe parashikime për reshjet. Sipas tij, Europa Veriore, Saheli, Alaska dhe Siberia pritet të jenë më të lagështa se zakonisht nga maji deri në shtator gjatë pesë viteve të ardhshme, ndërsa Amazona ka gjasa të jetë më e thatë./ The Guardian-A.D
