Last Updated on 28/05/2026 by Anisa
Monte Clérigo në Costa Vicentina, në skajin jugperëndimor të Portugalisë, u vlerësua nga European Best Destinations për luksin e tij të thjeshtë dhe për natyrën që ofron.
Me valën e të nxehtit që ka përfshirë Europën, shumë njerëz po mendojnë për plazhin. Pikërisht në këtë kohë, European Best Destinations ka publikuar listën e plazheve më të mira me rërë në Europë për vitin 2026.
Çdo vit, ekipi editorial përzgjedh fillimisht 10 plazhe për çdo vend, të cilat vlerësohen sipas faktorëve si bukuria natyrore, qasja, shërbimet në plazh dhe atmosfera e përgjithshme.
Më pas lista ngushtohet në vetëm 30 plazhe, të cilat i paraqiten një paneli ndërkombëtar udhëtarësh që përcaktojnë renditjen përfundimtare.
Këtë vit, vendi i parë shkoi për Praia de Monte Clérigo në Portugali.
Çfarë e bën kaq të veçantë plazhin Monte Clérigo?
I ndodhur në Costa Vicentina, në skajin jugperëndimor të vendit, Monte Clérigo u zgjodh nga European Best Destinations sepse u përshtatet atyre që kërkojnë “autenticitet, natyrë dhe luks të thjeshtë larg resorteve të mbipopulluara”.
Nga ana e natyrës, plazhi është pjesë e Parkut Natyror të Alentejo-s Jugperëndimore dhe Bregdetit Vicentina, ndaj ka shumë shtigje ecjeje përreth kur doni ta bëni pushimin më të larmishëm.
Renditja merr parasysh edhe aksesueshmërinë dhe, sipas European Best Destinations, akomodimi këtu kushton deri në tre herë më pak se në vendet më të njohura të Portugalisë.
Plazhe të tjera kryesore në Europë
Vendi i dytë në renditje shkoi për plazhin Voutoumi, në bregun verilindor të Antipaxos në Greqi.
Falë guralecëve të vegjël të bardhë, ujërave kristal të pastra dhe kodrave të gjelbra përreth, Voutoumi u shpall edhe plazhi më i bukur në Europë.
Vendet e treta dhe të katërta shkuan gjithashtu për dy destinacione greke: plazhi Fteri në Kefalonia dhe plazhi Elafonisi në Kretë.
Italia plotësoi pesëshen e parë me plazhin Bogliasco, i vendosur në një fshat peshkimi piktoresk pranë Xhenovës.
Nuk është surprizë që edhe Spanja hyri në listë, me Cala Mesquida në Majorka në vendin e gjashtë.
Ndërsa Norvegjia zakonisht nuk njihet si destinacion plazhi, kjo nuk e pengoi plazhin Kvalvika në ishullin Moskenesøya, në arkipelagun Lofoten, të hynte në listë. Në vendin e shtatë, European Best Destinations vuri në dukje se ky plazh i largët arrihet vetëm me ecje, gjë që i jep një mjedis të izoluar dhe të paprekur.
Jemi sërish në Greqi për vendin e tetë: plazhi Rovinia në Korfuz.
Plazhi Kaputaş i Turqisë, i cili u përfshi edhe në renditjen “World’s 50 Best Beaches” në prill, doli në vendin e nëntë.
I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, plazhi Paleokastritsa i Korfuzit u rendit i 10-ti./ European Best Destinations-A.D
