Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi këtë të enjte një vizitë zyrtare në Suedi, ku u prit nga kryeministri suedez Ulf Kristersson, ndërsa në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Zelensky deklaroi se po punon me Suedinë për një paketë të re të rëndësishme mbrojtëse, e cila përfshin edhe një “hap të fortë” lidhur me avionët luftarakë Gripen.
Pamjet e publikuara nga presidenca ukrainase tregojnë Zelenskyn duke mbërritur në bazën ajrore të Uppsalës dhe duke u takuar me zyrtarë suedezë.
Vitit të kaluar, Suedia dhe Ukraina nënshkruan një letër synimi që parashikon mundësinë e shitjes së deri në 150 avionëve luftarakë Saab Gripen E për Ukrainën. Ndërkohë, për shkak se dorëzimi i tyre mund të zgjasë disa vite, po diskutohen edhe variante për transferimin e avionëve ekzistues Gripen të modeleve C/D.
Suedia mbetet një nga mbështetëset më të mëdha të Ukrainës që nga nisja e luftës me Rusinë. Deri tani, Stokholmi ka dhënë rreth 128 miliardë korona suedeze ndihmë ushtarake dhe civile për Kievin.
Autoritetet suedeze kanë rezervuar gjithashtu edhe 80 miliardë korona të tjera ndihmë për Ukrainën gjatë këtij dhe vitit të ardhshëm./mxh
