Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në hapjen e fushatës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku në fjalimin e saj vuri theksin te trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës, uniteti dhe orientimi euroatlantik i Kosovës.
Duke iu drejtuar mbështetësve dhe strukturave të partisë, Osmani e cilësoi Rugovizmin si një nga idetë politike më moderne në historinë shqiptare, duke theksuar rolin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në ndërtimin e institucioneve dhe kulturës shtetërore të Kosovës.
“Rugova nuk ndërtoi kult force. Ai ndërtoi kulturë shteti”, deklaroi Osmani gjatë fjalimit.
Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët perëndimorë dhe ruajtjes së kursit euroatlantik të Kosovës, ndërsa bëri thirrje për më shumë unitet në skenën politike.
“Nuk do të jemi eksperiment i izolimit”, u shpreh Osmani, duke kritikuar indirekt politikat që, sipas saj, krijojnë polarizim.
“Më 7 qershor nuk votohet vetëm për pushtet. Votohet për drejtimin e Republikës”, deklaroi Osmani. /et
