Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja njoftuan sot një sërë kufizimesh udhëtimi për ata që vijnë nga zonat e Afrikës të prekura nga epidemia e Ebolës, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe vizitorëve të tyre gjatë Kupës së Botës.
“Shëndeti dhe siguria e çdo personi mbetet përparësia jonë kryesore, ndërsa i mirëpresim të gjithë në Amerikën e Veriut”, thanë ata në deklaratë, pa dhënë detaje mbi masat.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha më 17 maj se shpërthimi i Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos rrezikon të përhapet në vendet fqinje. Shumë qeveri kanë marrë masa për të kufizuar rrezikun.
Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndaluan hyrjen për qytetarët jo-amerikanë që kishin udhëtuar në Republikën Demokratike të Kongos, Ugandë ose Sudanin e Jugut në javët e fundit. Të premten, ndalimi u zgjerua për mbajtësit e kartës së gjelbër që kishin qenë në këto vende në 21 ditët e mëparshme.
Kanadaja po ndalon gjithashtu hyrjen në vend për 90 ditë për njerëzit që banojnë në tre vendet afrikane duke filluar nga e mërkura. Qytetarët kanadezë dhe banorët e përhershëm që kanë qenë në ato vende në javët e fundit, por nuk shfaqin simptoma, do të karantinohen për 21 ditë, duke filluar nga 30 marsi.
Meksika po vendos gjithashtu një karantinë 21-ditore për ata që mbërrijnë me avion, po merr masa në aeroporte dhe u ka kërkuar qytetarëve të saj të mos udhëtojnë për në Republikën Demokratike të Kongos.
“Së shpejti do të ketë një vaksinë”
Një vaksinë për llojin Budibugio të virusit Ebola, përgjegjës për epideminë në Republikën Demokratike të Kongos, do të jetë në dispozicion këtë vit, siguroi sot kreu i agjencisë shëndetësore të Bashkimit Afrikan (Africa CDC).
Për shkak të mungesës së një vaksine dhe trajtimi për këtë lloj specifik, masat e zbatuara bazohen kryesisht në pajtueshmërinë me rregulloret shëndetësore dhe identifikimin e shpejtë të rasteve.
“Ajo për të cilën jemi të sigurt është se deri në fund të vitit, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Afrikë do të sigurohen që të kemi vaksina dhe trajtim për Budibugio-n”, siguroi drejtuesja e saj, Jean Casey, duke folur në internet me gazetarët./mxh
