Madonna ka hapur zemrën për periudhën e saj më të vështirë para se të kthehej në një nga ikonat më të mëdha të muzikës botërore.
Në një intervistë të fundit, artistja 66-vjeçare rrëfeu sfidat që përjetoi kur u transferua për herë të parë në New York, në kohën kur përpiqej të ndërtonte një karrierë në muzikë dhe jetonte mes vështirësive ekonomike.
Këngëtarja tregoi se për një periudhë jetonte në kushte shumë të vështira, në një ndërtesë në zonën Garment District, ku mungonte edhe ngrohja gjatë dimrit.
“Në mes të dimrit nuk kishim ngrohje dhe përpiqesha të mbijetoja me ngrohëse portative,” kujtoi ajo.
Madonna ndau edhe një episod të frikshëm nga ajo kohë, duke treguar se një natë rrezikoi seriozisht jetën pasi një ngrohëse elektrike mori flakë ndërsa ajo ishte duke fjetur në dysheme.
Më pas, artistja u zhvendos në “The Music Building”, një ndërtesë e njohur në New York ku jetonin shumë muzikantë dhe artistë të rinj që ëndërronin suksesin në industrinë e muzikës.
Sipas saj, pikërisht ato vite të vështira e forcuan dhe e ndihmuan të ndërtonte karakterin dhe ambicien që më vonë e çuan drejt famës globale.
Madonna tregoi se më vonë u zbulua në një klub nate, moment që i hapi rrugën kontratës së parë muzikore dhe nisjes së karrierës së saj të jashtëzakonshme.
“Bëja gjithçka për të mbijetuar”, u shpreh artistja, duke theksuar se kurrë nuk hoqi dorë nga ëndrra e saj./mxh
