Nga Dr. Nebi Bardhoshi
S’është më metaforë rrethimi me tela i pronës së dikurshme të gjithëkujt, Ka rëndësi kjo ndalesë për të reflektuar se pse erdhëm deri këtu dhe pse një pronë e të gjithëve kthehet në të askujt. E më pas, për të kuptuar vetë logjikën e grabitjes nga ana e shtetit. Logjikën e pushtimit, ose e trajtimit të proonës së gjithëkujt si pronë të dikujt të pushtuar.
Gardhimi i bërë zonës së Pish-Porës ka qenë disi i pritshëm prej kohësh nga banorët. Ose, herë pas here, e përjetonin nga të “fortë” të ndryshëm. Por këta të “fortë” ishin zakonisht nga zona përreth. Banorët e zonës, të paktën disa prej tyre, për t’ju dëshmuar se nuk ishin dorëzuar, i kalonin shtigjet e zëna nga këta të fortë. Vinin edhe të huaj që, herë me dije e herë pa dije, thyenin gardhiqet e tentuara të të fortëve lokalë.
Tani disa, apo dikush, ia ka dalë të ketë në krah shtetin. Kjo gjën ndryshon rendin e gjërave. Nga pushtim prej të fortit, kthehet në pushtim nga shteti për të fortin. Emrat e të fortëve të sotshëm, që qarkullojnë janë të ndryshëm. Çka dihet me siguri është se ky i fortë [apo këta]nuk i del vetë ballazi këtij zaptimi.
Zaptimi i hapësirës është me tela me gjemba. Edhe pse dhemb si skenë, ajo mbart mbart një sens nderëshmërie! Rrethimi i përngjan një kampi ushtarak, i cili po fushon për të pushtuar më pas. I ngjan edhe një kufiri ndërshtetëror. Ka dhe ngjashmëri të tjera, por asnjëherë syresh nuk largohet nga ideja e zotërimit me forcë.
Gardhimi, në këtë rast, është një procedurë shtetërore. Por shteti ende hesht zyrtarisht.
Nuk ka dokumente a procedurë, por së pari vjen akti i gardhimit. Paraprirë kjo, apo shoqëruar me fadromat. Funksioni i gardhimit dhe fadromës shtetërore [së paku me leje të paligjshme shtetërore] është kthimi i një prone që i përkiste kujtdo në pronë që s’i përket askujt. Të askujt në kuptimin që askush nuk është pyetur. Ndërkohë kushdo atypari e di se pronë e kujt është apo do duhej të ishte. Trajtohet si e askujt, sepse as nuk duan të njohën dikë si të shpronësuar.
Ky vend i grabitur është një hapësirë e pushtuar. Fatkeqsisht ky është vetëm rasti i radhës. Ndërkohë, në gjithë Shqipërinë shteti është kthyer në agjent pushtimi. As grabitja, e as pushtimi nuk janë terma as neutral e as ideologjik. Janë terma mirëfilli dëshmues dhe udhëzues.
Janë dëshmues për të na treguar se si shteti ynë sillet me pronën e të gjithëve. Kur themi të gjithëve, e secilit prej nesh, por akoma më shumë e atyre që e kishin prej shekujsh në gëzim e përdorim dhe atyre që do duhej ta trashëgonin. E nëse shteti ynë do të kishte dashur edhe do t’ua njihte ose t’ua respektonte pronësinë dhe të drejtat e tjera, ka qenë krejt e lehtë. Janë terma udhëzuas, se na japin pamjen se si duhet ta shohim r si ti qasemi aktit të pushtimit.
Toka e rrethuar me tela me gjemba ka dy-tri statuse juridike. Një pjesë e saj është kthyer në pronësi të banorëve që ishin anëtarë të kooperativës bujqësore. Kthyer në pronësi, jo thjesht dhënë në përdorim. Por edhe sikur të ishte dhënë në përdorim, kjo tokë s’mund të rrethohej pa një procedurë që do të hiqte, me procedurë të rregullt, të drejtat e njohura me ligj për përdorim. Pjesa tjetër e tokës gëzon statusin e pronës së të gjithë komunitetit, por këtë pronësi e pati përvetësuar shteti. Këtë përvetësim shteti e bëri në heshtje, por banorët do të duhej të kishin përparësi nëse ajo do të privatizohej. E gjithë zona ka një marrëveshje apo cilësi tjetër juridike, sepse ajo është zonë e mbrojtur. Pra, sërish pronë e të gjithëve, tashmë edhe e gjithë gjallesave.
Po deti? Ai ka qenë i gjithëkujt.
Shqipëria ndodhet në brigjet e Europës. Edhe gjeografikisht, edhe politikisht. Çka po ndodh tani me Shqipërinë është një simptomë e shoqërive, që po i quaj – shoqëri të brigjeve.
Shoqëritë e brigjeve, do të mund të jenë më të begatat, siç ndodh shpesh me brigjet në natyrë. Ose do të grabiten ose anashkalohen sikurse ndodh me statusin politik të vendeve brigje. Të lëna atje, për të qenë brigje që i brenë çdo ditë e padrejta e shfaqur si grabitje, duke shpallë fillimisht banorët e atyre anëve të paqenë – me anë të institucionit kryesor të pushtimit shtetëror që është shpërnjohja e qënieve nga ana shtetërore.
Ka disa deklarata, nga Institucione te BE-së, të tilla si – prova e parë për këtë apo atë kapitull të anëtarësimit. Por, nëse vërtet Europa e ka pak më seriozisht se sa duket, atëherë duhet të bëhet e qartë me Shqipërinë. Qartësinë duhet ta dëshmojë në mënyrën se si e sheh Shqipërinë. Si brigje, ku lejon grabitjen, ndërtimin e kampeve, pra vend të padrejtësive të veta dhe të eksportimit të tyre atypari? Apo e sheh si bregun e vet të vlerave, që dikur ishin themeli apo idealet e saj? Shoqëritë brigje, si Shqipëria, mund të jenë edhe vendet e restaurimit të madh të vlerave. Por po aq janë dhe vendet e dëshmisë historike. Ndaj, për këtë duhen qëndrime të qarta./a.d
(Marrë nga profili në facebook)
