Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, deklaroi se Tajvani përballet vazhdimisht me presion nga Kina, por theksoi se ishulli është një shtet demokratik dhe jo pjesë e Kinës.
Gjatë një konference për shtyp me rastin e dy viteve në detyrë, kryediplomati tajvanez u shpreh se Tajvani dëshiron të shmangë konfliktin dhe të ruajë paqen afatgjatë në rajon, por paralajmëroi se vendi duhet të jetë i përgatitur për të mbrojtur veten.
Lin akuzoi Pekinin se po ndryshon status quo-në në ngushticën e Tajvanit dhe mbrojti forcimin e kapaciteteve ushtarake të Tajvanit, përfshirë blerjen e armëve nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, këto veprime janë në përputhje edhe me interesat amerikane, ndërsa e cilësoi udhëheqjen kineze, nën presidentin Xi Jinping, si burim kërcënimesh dhe presioni ndaj Tajvanit dhe rajonit.
Ministri tajvanez bëri thirrje që mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe mbi bazën e drejtësisë ndërkombëtare, duke kritikuar Kinën për përdorimin e vazhdueshëm të kërcënimeve dhe presionit ushtarak.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Pekinit dhe Tajvanit. Parlamenti tajvanez miratoi më herët këtë muaj një paketë shtesë prej 25 miliardë dollarësh për mbrojtjen, me qëllim forcimin e ushtrisë përballë modernizimit të shpejtë të forcave kineze.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe ka shtuar praninë ushtarake rreth ishullit, me avionë dhe anije luftarake që operojnë pothuajse çdo ditë pranë territorit tajvanez./mxh
