Aktivistë të klimës protestuan pranë selisë së kompanisë energjetike “TotalEnergies” në zonën La Defense në Francë, duke akuzuar kompaninë dhe qeverinë franceze se po përfitojnë nga karburantet fosile në një kohë krize klimatike globale.
Demonstruesit, të maskuar dhe me pankarta në duar, hodhën kartëmonedha false në ajër dhe kërkuan që fitimet e kompanisë të taksohen më shumë. Protesta u zhvillua përpara mbledhjes së përgjithshme vjetore të kompanisë.
Përfaqësuesja e organizatës ambientaliste “350”, Fanny Petitbon, deklaroi se “TotalEnergies” vazhdon të investojë masivisht në naftë dhe gaz me mbështetje financiare publike nga shteti francez.
Sipas saj, kompania ka përfituar miliarda dollarë, veçanërisht pas rritjes së çmimeve të naftës të lidhura me luftën në Iran.
Aktivistët kërkuan që qeveria franceze të ndalojë financimin publik për industrinë e karburanteve fosile dhe të përshpejtojë kalimin drejt energjisë së rinovueshme.
“Askush nuk është më imun ndaj ndryshimeve klimatike. Duhet të veprojmë tani dhe paratë e ndotësve të mëdhenj duhet të përdoren për energjinë e pastër”, deklaroi Petitbon gjatë protestës.
Nga ana tjetër, “TotalEnergies” ka mbrojtur politikat e saj, duke theksuar se vendosi kufizim të çmimeve të karburantit në Francë për të ndihmuar qytetarët pas rritjes së çmimeve globale të naftës./mxh
