Një raketë pa ekuipazh “New Glenn” e kompanisë “Blue Origin”, në pronësi të Jeff Bezos, ka shpërthyer në një platformë lëshimi në Florida gjatë një testi të enjten, duke shënuar një tjetër goditje për programin hapësinor të kompanisë amerikane.
Pamje të publikuara nga platforma “NASASpaceflight” treguan raketën e madhe duke u ndezur në “Cape Canaveral”, përpara se të shpërthente në një top gjigant zjarri që u ngrit në qiell dhe u shoqërua me një kolonë të madhe tymi.
Sipas verifikimeve, vendndodhja e incidentit u konfirmua në bazë të strukturave të platformës së lëshimit dhe infrastrukturës përreth, ndërsa koha e ngjarjes përkon me transmetimin direkt të publikuar nga burime të specializuara.
Raketa “New Glenn” po përgatitej për misionin e saj të katërt, që kishte për qëllim vendosjen në orbitë të 48 satelitëve “Amazon Leo”, pjesë e projektit të Amazon për rrjetin e internetit satelitor që synon të konkurrojë “Starlink” të Elon Musk.
Megjithatë, satelitët nuk ishin të integruar në raketë në momentin e shpërthimit, sipas burimeve të njohura me situatën.
Ky incident vjen si një tjetër pengesë për programin “New Glenn”, i cili është pjesë e planeve të “Blue Origin” për misione të ardhshme për NASA-n, përfshirë edhe programin “Artemis” për eksplorimin e Hënës.
Ndërkohë, edhe kompania rivale “SpaceX” ka përjetuar më herët dështime gjatë testimeve të raketave të saj, përfshirë shpërthimin e “Starship” gjatë një prove vitin e kaluar në Teksas./MXH
