Kanë kaluar 5 muaj që kur Lista Serbe rimori udhëheqjen e komunës së Mitrovicës të Veriut, ndërsa janë raportuar largime nga puna të disa shqiptarëve nga institucione lokale.
Sipas raportimeve, me marrjen e detyrës nga kjo parti janë ndërmarrë vendime për largimin e shqiptarëve që punojnë në institucione si zyra e komuniteteve, sallat sportive dhe disa institucione shëndetësore.
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Emin Azemi, deklaroi se arsyetimet për largime lidhen me performancën ose mosplotësimin e kritereve, ndërsa ngriti shqetësimin për pengesat gjuhësore në institucione ku punonjësit shqiptarë dhe serbë nuk komunikojnë në të njëjtën gjuhë.
Ai u bëri thirrje personave që ndihen të kërcënuar të ndjekin rrugën ligjore dhe të bëjnë kallëzime penale.
Nga ana tjetër, zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Aida Ferati-Doli, tha se disa punëtorë shqiptarë janë rikthyer në vendet e tyre të punës pas ankesave, duke theksuar se Këshilli po shqyrton rastet ku pretendohet shkelje e ligjit.
Edhe ish-zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal, Skënder Sadiku, u shpreh se disa nga këto largime mund të lidhen me periudhën e fushatës zgjedhore dhe bëri thirrje që të mos cenohet dinjiteti i qytetarëve dhe të ruhen vendet e punës.
Raste të ngjashme të largimeve nga puna të shqiptarëve në veri janë raportuar edhe më herët, përfshirë në komunën e Zveçan në fillim të këtij viti./mxh
