Djali i heroit të PD-së, ish-deputetit të ndjerë Azem Hajdari, që mban edhe emrin e të atit të tij, tha nga podiumi i Kuvendit Kombëtar ditën e sotme (30 maj) se shqiptarët duhet t’ia japin edhe një mundësi demokratëve për të qeverisur, pasi nuk është parti e interesave kriminale.
Ai theksoi se kur PD ishte në pushtet ishte krah partnerëve euroatlantikë, anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe hoqi vizat për shqiptarët në vendet e BE-së.
Azem Hajdari vuri në fokus edhe rëndësinë e idealit dhe angazhimit personal për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Ai theksoi rolin kyç të partisë në vendosjen e Shqipërisë në rrugën euroatlantike, ndërtimin e një ekonomie të shëndetshme, sigurimin e lirisë së udhëtimit dhe krijimin e mundësive për qytetarët.
“Duke filluar që nga mundësia e parë që edhe disa njerëz, qoftë mosha ime, qoftë edhe moshë më e madhe e harrojnë, që siç e shohim kohën e luftërave sot mund të ishim në luftë edhe neve, mund të ishin edhe fëmijët tanë, gratë tona të rrezikuar, por një nga gjërat që bëri PD-ja është që e futi Shqipërinë në NATO, që ne sot flemë rehat dhe zgjohemi rehat dhe ne e marrim për të mirëqenë. Një nga gjërat e tjera që duhet përmendur dhe nuk është më pak e rëndësishme, është që familjet shqiptare sipas hallit, nevojës apo mundësisë së tyre, i detyrohen, detyrohen të emigrojnë për arsye të ndryshme, të sakrificave të veta dhe sot fare kollaj mund të vizitojnë çdo shtet të Evropës pa pasur asnjë lloj pengese”, tha ai mes të tjerash.
Hajdari nënvizoi gjithashtu se PD ka mbajtur gjallë idealin e saj pavarësisht sfidave të brendshme dhe të jashtme, duke garantuar që çdo veprim i saj të ketë për qëllim shërbimin e popullit dhe avancimin e shtetit.
Ai kërkoi edhe një shans tjetër për PD-në nga shqiptarët:
“Dhe mendoj që të gjithë shqiptarët duhet t’i japin mundësinë Partisë Demokratike për të bërë turnin e saj të radhës heroik. Në qoftë se më përpara ka qenë më e vështirë edhe prapë ka arritur të bëjë diçka shumë të madhe, mendoj që në ditët e sotme nëse Partia Demokratike do e kishte në dorë situatën dhe qeverinë, Shqipëria do shkonte në një pikë që nuk e ka parë asnjëherë dhe as në ëndrrat e veta më të bukura”.
Hajdari bëri thirrje për përfshirjen aktive të të gjithë qytetarëve dhe demokratëve në jetën politike, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të realizohen ndryshimet e mëdha për Shqipërinë.
Fjala e plotë e Azem Hajdarit:
“Përshëndetje, motra dhe vëllezër! Përshëndetje, demokratë të nderuar! Është një nder i jashtëzakonshëm të jem sot këtu, në këtë rimëkëmbje të Partisë Demokratike dhe s’është hera e parë, po është hera e disatë për Partinë Demokratike që është përballur me sfidat më të forta. Duke filluar që nga përplasja me komunizmin më të egër që ka parë Evropa dhe duke i dalë tamam si në ato librat, ato legjendat që lexonim kur ishim fëmijë, si Mic Sokoli e me radhë, duke i dalë pushkës, topit, tankut, me gjoks përpara dhe jo për t’u pasuruar, jo pa arritur fare faza e kapitalizmit, por me idealet e pastra si studentë për të parë mirë mamin, babin, vëllain, motrën, fëmijët e tyre. Dhe duke arritur, duke e marrë shtetin, me të drejtën më të madhe morale, me të drejtën e Zotit dhe ditët e para të ngritjes së qeverisë së parë pluraliste shqiptare dhe demokrate, duke e marrë në gërmadha, pra pa asnjë lloj strukture, infrastrukture, ekonomie të tregut, arritën të ndërtojnë një shtet jo ndryshe nga shtetet e tjera evropiane.
Duke filluar që nga mundësia e parë që edhe disa njerëz, qoftë mosha ime, qoftë edhe moshë më e madhe e harrojnë, që siç e shohim kohën e luftërave sot mund të ishim në luftë edhe neve, mund të ishin edhe fëmijët tanë, gratë tona të rrezikuar, por një nga gjërat që bëri PD-ja është që e futi Shqipërinë në NATO, që ne sot flemë rehat dhe zgjohemi rehat dhe ne e marrim për të mirëqenë. Një nga gjërat e tjera që duhet përmendur dhe nuk është më pak e rëndësishme, është që familjet shqiptare sipas hallit, nevojës apo mundësisë së tyre, i detyrohen, detyrohen të emigrojnë për arsye të ndryshme, të sakrificave të veta dhe sot fare kollaj mund të vizitojnë çdo shtet të Evropës pa pasur asnjë lloj pengese.
Ndërkohë që më përpara ti duhet të aplikoje dhe mundësisht me aplikoje, me shku në Gjermani po themi, edhe në 90% të rasteve ti do refuzoheshe dhe do ngeleshe këtu në pikë të hallit se s’kishe ku shkoje. Dhe kjo është një nga gjërat që njerëzit s’duhet ta marrin gjithashtu për të mirëqenë. Dua të përmend gjithashtu ekonominë e shëndetshme që Partia Demokratike ndërtoi, e cila nuk është kullat e bëra me fonde jo të pastra, pra fonde të dyshimta, që nuk janë as qendra biznesi dhe nuk janë as banime, po janë thjesht strehimi i një forme të ndryshme të parave të pista. Ndryshe dikur i përdornin, i bënin pllaka floriri, sot i bëjnë apartamente fantazmë, pra ka mënyra të ndryshme. Po në asnjë lloj forme ato nuk janë as shtëpi për njerëzit që rrisin fëmijë, as qendra biznesi ku krijohet ekonomi.
Ndërkohë që dua të përmend që kjo fasadë, si një mollë e kalbur brenda, në kohën kur ka qenë Partia Demokratike flasim për ekonomi të shëndetshme. Si tapi, si infrastruktura të ndryshme të rrugëve që sot ne për një hall, për një problem mund të shkojmë në vende, qytete të ndryshme që dikur duheshe katër orë me shku, pesë orë me shku dhe mund të zinte lloj-lloj situate, sot e ke një orë larg apo një orë e gjysmë larg. Kjo është ekonomia e shëndetshme, kjo është koha që njerëzit po atë të kësaj dite thonë, ti mund të ishe në shtresë e varfër, mund të kishe kapur një moshë pak madhore dhe ti mund të bëje një biznes për të mbajtur familjen dhe ti mund ta bëje biznesin.
Pra mund të sajoheshe me kushte rrethanore për të fituar ndonjë lek, po flasim popullorçe, dhe për ta çuar në shtëpi. Ndërkohë që sot është jashtëzakonisht një lloj formaliteti fals dhe një lloj burokracie që ti e ke të pamundur sot të bësh biznes edhe të ngrihesh. Domethënë një situatë ekstreme që është e pashmangshme që ti të mos shtypesh nga këto lloj kushtesh që janë aktualisht politike në Shqipëri. Dua të përmend gjithashtu që duke parë, duke qenë sot dëshmitar i këtij kuvendi, pashë një lloj strukturimi që më bëri shumë përshtypje, një strukturim tamam euroatlantik. Me rini, me djem dhe vajza të reja, energjikë, të bukur, idealistë, me një lloj strukture shumë profesionale votimi apo konstruktimi të një partie, siç duhet të jetë për të qenë realisht e dobishme për shtetin.
Dhe dua të them që me këto që ka kaluar Partia Demokratike, Partia Demokratike është parti, edhe pse përdor fjalën parti, është pikërisht sepse partitë e tjera nuk po funksionojnë më si parti, por si kompani dhe jo si parti. Ndërkohë që Partia Demokratike qoftë nga koha e viteve 90-të e deri më sot, nuk ka qenë ndonjëherë me xhepa të plotë edhe me mendime milionerësh për të bërë biznes, me kështu. Kanë qenë me xhepat bosh, kanë qenë me zemrën plot, duke u përballur me sfida. Dhe kur janë përballur me sfidat më të forta, si dikur ashtu dhe tani që janë bërë puçe edhe të jashtme dhe puçe edhe të brendshme për ta dëmtuar, shumë parti të tjera do kishin shkuar nëpër shtëpi. Do e kishin lënë atë punë sepse shumë e thjeshtë, do vdiste interesi. Vdes interesi, vdes biznesi, vdes ekonomia dhe merr rrugët, pafshim. Kurse Partia Demokratike pavarësisht çdo lloj situate apo kushti të vështirë që është gjendur, e ka mbajtur gjallë asnjë gjë tjetër përveçse ideali dhe zemra për të qenë heronj për familjet e tyre dhe për popullin. Dhe prandaj quhet Partia Demokratike.
Prandaj, nëse sot kemi të drejtën që të udhëtojmë, siç thashë, ku të duam të shkollohemi jashtë shtetit, pra të udhëtojmë pa viza apo të jemi të mbrojtur nga këto kohë luftërash apo të kemi rrugët dhe infrastrukturën e nevojshme, dhe shumë gjëra të tjera, apo të mos presim radhën e qumështit dhe të internohen familjet tona duke u rrahur në mënyrë makabre për të drejtën më të vogël të fjalës që s’ka qenë, duhet t’i shikojmë pas edhe duhet t’i vlerësojmë këto gjëra. Dhe mendoj që të gjithë shqiptarët duhet t’i japin mundësinë Partisë Demokratike për të bërë turnin e saj të radhës heroik. Në qoftë se më përpara ka qenë më e vështirë edhe prapë ka arritur të bëjë diçka shumë të madhe, mendoj që në ditët e sotme nëse Partia Demokratike do e kishte në dorë situatën dhe qeverinë, Shqipëria do shkonte në një pikë që nuk e ka parë asnjëherë dhe as në ëndrrat e veta më të bukura.
Falënderoj këto djem dhe vajza, këto gra dhe burra që vijnë çdo ditë dhe flasin çdo ditë, me idealin për të bërë diçka për këtë shtet, pavarësisht rrezikut që i kanoset në familje apo në jetën personale. Faleminderit të gjithëve! Edhe ishte nder për mua sot të kandidoja si kandidat për Këshillin Kombëtar, që sadopak, ndoshta gjënë më të madhe në botë s’e bëjmë dot, po aq sa kemi shpirt edhe takat, siç thonë tironsit, të japim maksimumin nga vetja jonë pa asnjë pishmani për të dhënë për vendin tonë. Se tek e fundit të gjithë një jetë kemi, edhe e rëndësishme ka çfarë lëmë mbrapa. Faleminderit shumë, të gjitha të mirat. Ju uroj vetëm suksese edhe faleminderit”./mxh
