Last Updated on 01/06/2026 by Kesjana
Nga Bledi Mane
Ministria e Jashtme e Greqisë ka reaguar lidhur me protestën e djeshme në Zvërnec, e cila u përfshi nga dhuna e ushtruar nga disa roje private, ndaj qytetarëve që janë kundër resortit që është planifikuar të ndërtohet në zonë.
Athina zyrtare thotë se gjatë protestës mbeti i plagosur dhe një shtetas grek, duke nënkuptuar një anëtar të minoritetit grek në vendin tonë. Ministria greke thekson se Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërmori menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i ofruar shtetasit grek të gjithë asistencën e nevojshme konsullore dhe mjekësore.
“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet e ndodhura dje, më 30 maj 2026, në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ndodhej edhe një shtetas grek që mbeti i plagosur”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
“Ambasada e Greqisë në Tiranë po kryen paralelisht edhe ndërhyrjet e nevojshme pranë palës shqiptare, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës”, thuhet më tej në deklaratë, ku shtohet se: “Në këtë kuadër, ne marrim në konsideratë reagimin e parë të autoriteteve shqiptare”.
“Ritheksojmë nevojën për respektimin e plotë të shtetit të së drejtës, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek, si edhe rëndësinë e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në kuadër të përafrimit me acquis communautaire të Bashkimit Europian, respektimi i të cilit përbën kusht për përparimin e procesit të integrimit”, thekson Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë.
Reagim me keqardhje ka pasuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila thotë:
“Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.”
Më tej, shton se autoritetet e dy vendeve kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm lidhur me çështjen, ndërsa rithekson rëndësinë e marrëdhënieve.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, thuhet në reagim./A.D
