Etiopianët kanë nisur votimin në zgjedhjet parlamentare dhe rajonale, ku partia në pushtet e kryeministrit 49-vjeçar Abiy Ahmed pritet të sigurojë një fitore të thellë, pavarësisht konflikteve dhe tensioneve që vazhdojnë në disa rajone të vendit.
Mbi 50 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar, por procesi zgjedhor nuk po zhvillohet në rajonin verior të Tigrayt për shkak të situatës së paqëndrueshme politike dhe të sigurisë, pas luftës civile që zgjati nga viti 2020 deri në vitin 2022.
Abiy Ahmed mori drejtimin e vendit në vitin 2018 pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Hailemariam Desalegn. Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia e Prosperitetit fitoi 410 nga 484 vendet në parlament, duke siguruar kontroll të gjerë mbi institucionet shtetërore. Edhe këtë herë, ekspertët politikë presin që partia e tij të dominojë përballë një opozite të fragmentuar dhe të dobësuar nga rivalitetet e brendshme.
Gjatë fushatës, Partia e Prosperitetit është fokusuar te rezultatet ekonomike të qeverisë, duke theksuar përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe rritjen ekonomike. Autoritetet parashikojnë që ekonomia e Etiopisë të rritet me më shumë se 10 për qind gjatë vitit 2026, duke e renditur vendin ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Afrikë. Etiopia ka rreth 135 milionë banorë dhe pothuajse gjysma e popullsisë është nën moshën 18 vjeç.
Megjithatë, vendi vazhdon të përballet me probleme serioze të sigurisë. Në rajonin Oromia, përplasjet mes forcave qeveritare dhe Ushtrisë Çlirimtare Oromo kanë shkaktuar qindra viktima gjatë viteve të fundit. Në rajonin fqinj Amhara, grupi i armatosur Fano kontrollon pjesë të konsiderueshme të zonave rurale që prej vitit 2023. Për shkak të situatës së pasigurt, votimi nuk po zhvillohet në të paktën tetë zona zgjedhore të Amharës.
Ndërkohë, edhe pse marrëveshja e paqes e vitit 2022 i dha fund luftës në Tigray, tensionet janë rikthyer pas lëvizjeve të fundit politike të forcës kryesore në rajon për të rimarrë kontrollin administrativ. Zyrtarët dhe ekspertët paralajmërojnë se ekziston rreziku i shpërthimit të trazirave të reja.
Partitë opozitare akuzojnë qeverinë federale se po pengon aktivitetin e tyre politik përmes arrestimeve të liderëve dhe vendosjes së pengesave ligjore. Qeveria i mohon këto akuza dhe argumenton se veprimet e saj janë të nevojshme për ruajtjen e sigurisë kombëtare.
Kur erdhi në pushtet, Abiy Ahmed ndërmori reforma të rëndësishme, liberalizoi ekonominë dhe liroi gazetarë, aktivistë dhe të burgosur politikë. Në vitin 2019 ai fitoi Çmimin Nobel për Paqen pas arritjes së marrëveshjes që i dha fund konfliktit me Eritrenë. Megjithatë, kundërshtarët dhe organizatat e të drejtave të njeriut e akuzojnë qeverinë e tij se vitet e fundit ka kufizuar liritë civile, ka arrestuar gazetarë dhe ka zhvilluar operacione ushtarake të shoqëruara me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Autoritetet i hedhin poshtë këto akuza./mxh
