Last Updated on 01/06/2026 by EL
Paralelisht me protestën e zhvilluar për çështjen e Zvërnecit, pasditen e kësaj të hëne në kryeqytet po mbahet edhe një tjetër tubim qytetar. Dhjetëra pjesëmarrës, të organizuar nga Koalicioni Pro Familjes, janë mbledhur përpara ambienteve të Ministrisë së Shëndetësisë për të kundërshtuar vendimin e fundit që hap rrugën për ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor.
Me pankarta në duar dhe të shoqëruar nga familjarë e fëmijë, protestuesit kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë. “Marshimi për Jetën” ishte slogani kryesor i tubimit, i shfaqur në banderolën që pjesëmarrësit mbanin gjatë protestës.
Sipas protestuesve, vendimi ngre shqetësime që lidhen me ndikimin e tij te të rinjtë dhe me mënyrën se si do të zbatohet në praktikë. Ata i kanë bërë thirrje institucioneve që të rishqyrtojnë udhëzimin dhe të zhvillojnë një debat më të gjerë publik mbi këtë çështje.
Pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se për herë të parë në Shqipëri terapia hormonale për personat transgjinorë do të ofrohet në shërbimin publik shëndetësor. Sipas udhëzimit të miratuar, një person transgjinor do të mund t’i drejtohet mjekut të familjes për të kërkuar konsultë me një mjek endokrinolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim nisjen e trajtimit hormonal që mbështet procesin e tranzicionit drejt gjinisë me të cilën ai ose ajo vetidentifikohet.
Dokumenti përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe mënyrën e monitorimit të pacientëve gjatë trajtimit. Terapia do të ofrohet në QSUT dhe kostot e saj do të mbulohen nga fondet publike.
Protokolli parashikon që trajtimi të jetë i aksesueshëm për personat e rritur, por në raste të veçanta edhe për adoleshentët mbi moshën 16-vjeçare ose 14-vjeçarë, kur ekziston vlerësimi i ekipit mjekësor dhe miratimi i familjes./et
