Last Updated on 01/06/2026 by Monika
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Berat për 35-vjetorin e PS-së. Rama ka folur lidhur me debatet dhe reagimet për ngjarjet në Zvërnec, ku tha se kur flitet për zonat e mbrojtura dhe natyrën nuk mund t’i drejtohet gishti Partisë Socialiste dhe atij vetë.
Ndërsa komentoi edhe protestën që zhvillohet në Tiranë për këtë cështje, Rama tha se asnjë nga arsyet e ngritura për të protestuar nuk qëndron. Ndër të tjera theksoi se pa rritur cilësinë e turizmit nuk mund të rritet Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar apo pagat.
“Të flasësh për zonat e mbrojtura dhe natyrën dhe ti kthehesh për PS duke i treguar me gisht, kjo është kulmi. Një kulm që mund ta arrijë vetëm injoranca e kombinuar me manipulimin. Mund ta arrijë vetëm keqdashja ndaj këtij vendi. Ka një protestë në Tiranë për të mbrojtur natyrën. Po kush e kërcënon natyrën dhe vë në rrezik biodiversitetin? Protestohet se është hequr nga zonë e mbrojtur Zvërneci. Po kush e ka hequr? Kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë kategorie ka qenë? Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5 dhe ashtu do vijojë të jetë.
Mbrojtja e biodiversitetit është pjesë e punës tonë si qeveri. Debati nuk është a do të hiqet apo do të rrijë ajo zonë si zonë e mbrojtur. Debati është se çfarë Shqipërie do të zhvillojmë apo do të kemi pas 5 ose 10 vjetësh. Si do ta rrisim Shqipërinë ekonomikisht? Turizmi është një industri e cila zhvillohet nga ato vende që kanë respekt për natyrën e mjedisin. Nëse ne mendojmë se do të rrisim Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, pagat, pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim”, tha Rama./mxh
