Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, zhvilluan sot një bisedë telefonike në një kohë kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Jerevanit po përballen me tensione në rritje.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 7 qershor në Armeni, të dy liderët ranë dakord të zhvillojnë së shpejti një takim kokë më kokë për të diskutuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet ekzistuese.
Moska kundërshton aspiratat e Armenisë për t’iu afruar Bashkimit Evropian. Pashinyan ka refuzuar kërkesat ruse për një referendum që do t’i detyronte armenët të zgjidhnin mes integrimit evropian dhe qëndrimit në Bashkimin Economik Euroaziatik. Sipas tij, anëtarësimi në BE mbetet një perspektivë teorike dhe Armenia do të vazhdojë të jetë pjesë e unionit ekonomik euroaziatik.
Presidenti Putin ka deklaruar më herët se Armenia nuk mund të “ulet në dy karrige njëkohësisht” dhe se do të duhet të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërkohë, Jerevani e sheh afrimin me BE-në si një hap drejt anëtarësimit të mundshëm në të ardhmen.
Rusia vazhdon ta konsiderojë Armeninë pjesë të hapësirës së saj ekonomike dhe ushtarake përmes Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive.
Edhe pse i uroi ditëlindjen Pashinyanit dhe vlerësoi marrëdhëniet tradicionale miqësore mes dy vendeve, Kremlini ka shtuar presionin ndaj udhëheqjes armene përmes sanksioneve dhe paralajmërimeve përpara zgjedhjeve.
Gjatë një samiti në Astana javën e kaluar, Putin paralajmëroi Armeninë të mos ndiqte të njëjtën rrugë si Ukraine, me të cilën Rusia është në luftë prej më shumë se katër vitesh./mxh
