E ardhmja e Dusan Vlahovic te Juventusi mbetet ende e paqartë, ndërsa palët pritet të zhvillojnë një takim vendimtar në ditët e ardhshme.
Sulmuesi serb ka kontratë deri më 30 qershor dhe negociatat për rinovimin kanë mbetur prej kohësh në ngërç. Juventusi kërkon një marrëveshje me kushte të reja financiare, pasi nuk është i gatshëm të ruajë pagën aktuale prej 12 milionë eurosh neto në sezon.
Klubi ka propozuar një kontratë që, mes pagës fikse dhe bonuseve, afrohet me nivelin prej rreth 7 milionë eurosh që përfiton Kenan Yildiz.
Nga ana tjetër, Vlahovic kërkon të paktën 8 milionë euro në sezon, si edhe një bonus të konsiderueshëm nënshkrimi. Për këtë arsye, mundësia e largimit të tij nga Torino po bëhet gjithnjë e më konkrete.
Ndërkohë, Juventusi ka nisur të shqyrtojë alternativa dhe ka rikthyer interesimin për Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez konsiderohet një nga opsionet kryesore në rast të largimit të Vlahovic./mxh
