Video të publikuara së fundmi në rrjetet sociale tregojnë një pamje shqetësuese të Kampit IV në malin Everest, kampi më i lartë në botë, i mbushur me tenda të braktisura, bombola oksigjeni bosh dhe mbeturina të tjera të lëna pas nga alpinistët.
Pamjet zbulojnë dhjetëra tenda të verdha të dëmtuara, të ekspozuara ndaj erërave të forta, ndërsa mbeturinat janë shpërndarë në të gjithë zonën. Sipas ekspertëve, edhe jashtëqitjet njerëzore përbëjnë një problem serioz mjedisor në këtë pjesë të malit.
Kampi IV ndodhet në Shtratin Jugor, midis Everestit dhe Lhotse-s, në një lartësi prej 7.925 metrash mbi nivelin e detit. Ai konsiderohet pika e fundit e pushimit përpara ngjitjes drejt majës së Everestit, përmes të ashtuquajturës “Zona e Vdekjes”, ku niveli i oksigjenit është jashtëzakonisht i ulët.
“Ajo që duhet të jetë një nga vendet më spektakolare në planet është shndërruar në një nga shembujt më të shëmtuar të komercializimit të Everestit”, shkroi Everest Today në një reagim në rrjetin social X.
Sipas këtij publikimi, tenda të braktisura, bombola oksigjeni bosh, pajisje të dëmtuara dhe mbeturina të tjera janë shpërndarë përgjatë Shtegut Jugor, duke e kthyer kampin më të lartë në botë në një “varrezë pajisjesh alpinizmi”.
Problemi është përkeqësuar nga numri gjithnjë e më i madh i alpinistëve. Vetëm më 20 maj, një rekord prej 274 personash arritën majën e Everestit nga ana e Nepalit brenda një dite të vetme, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 223 alpinistësh të vendosur në vitin 2019.
Pamjet e filmuara me dron treguan qindra alpinistë të rreshtuar në pritje për të vazhduar ngjitjen, duke ringjallur debatin mbi mbipopullimin dhe komercializimin e malit më të lartë në botë.
Këtë vit, gati 500 alpinistë të huaj morën leje ngjitjeje, një tjetër rekord që ka shtuar shqetësimet për sigurinë dhe ndikimin në mjedis.
Shumica e alpinistëve mbështeten në oksigjen shtesë për të kaluar “Zonën e Vdekjes”, e cila fillon në lartësi mbi 8.000 metra. Ekspertët rekomandojnë që askush të mos qëndrojë në këtë zonë për më shumë se 20 orë./a.d
