Në çfarë pike një mjet teknologjik pushon së qeni i dobishëm dhe shndërrohet në një varësi që dëmton aftësitë tona? Kjo është pyetja që po shtrojnë gjithnjë e më shumë studiues, ndërsa inteligjenca artificiale (IA) po bëhet pjesë e përditshme e jetës, punës dhe arsimit, sipas të përditshmes amerikane “TIME”.
Një studim i publikuar në prill, nga studiues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, zbuloi se personat që përdorën inteligjencën artificiale për rreth 10 minuta, për të zgjidhur ushtrime matematike ose detyra në analizën e tekstit, shfaqën rezultate më të dobëta, kur ju kërkua të kryenin të njëjtat detyra pa ndihmë.
Krahasuar me grupin që punoi pa IA, ata jo vetëm rezultuan më dobët, por gjithashtu hoqën dorë më shpejt nga problemet më të vështira.
Autorët e studimit theksojnë se gjetjet ofrojnë “prova shkakësore” se mbështetja tek inteligjenca artificiale, redukton këmbënguljen dhe dëmton performancën, kur individët duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Sipas tyre, njerëzit nuk bëhen vetëm më pak të aftë në kryerjen e detyrave, por edhe më pak të gatshëm për t’u përpjekur.
Nëse këto efekte afatshkurtra vazhdojnë me përdorimin e zgjatur, sistemet aktuale të IA-së, rrezikojnë të dobësojnë pikërisht, aftësitë njerëzore.
Një tjetër studim i udhëhequr, vitin e kaluar nga studiues të MIT (Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit), një universitet prestigjioz privat kërkimor në Kembrixh, Masaçusets, arriti në përfundime të ngjashme.
Pjesëmarrësit që përdorën ChatGPT për të shkruar ese, rezultuan më dobët në aspektin njohës, gjuhësor dhe të sjelljes, krahasuar me ata që punuan pa ndihmën e IA-së.
Vetëm pak minuta pas përfundimit të detyrës, ata kishin vështirësi të kujtonin përmbajtjen, që kishin shkruar dhe performuan më dobët, kur iu kërkua të hartonin një ese pa ndihmën e inteligjencës artificiale.
Shkencëtarët paralajmërojnë se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me efektet afatshkurtra.
Sipas tyre, mbështetja e tepruar tek modelet e mëdha gjuhësore (LLM) “Large Language Model”, një lloj inteligjence artificiale e përparuar, mund të çojë gradualisht në dobësimin e aftësive për të menduar në mënyrë të thelluar dhe kritike.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen me atë që neuroshkenca e quan “shkarkim i aftësive njohëse”, transferimin e proceseve mendore te mjete të jashtme, për të ndihmuar kujtesën, arsyetimin apo zgjidhjen e problemeve.
Kristy Armitage, studiuese në Universitetin e Queensland në Australi, theksoi se ekzistojnë prova, që mbështetja e tepruar te këto mjete, mund të shkaktojë një rënie afatshkurtër të aftësive përkatëse mendore.
Megjithëse kërkimet mbi ndikimin e inteligjencës artificiale janë ende në zhvillim, ajo paralajmëroi se kjo teknologji përfaqëson një sfidë të re.
Ndërsa përdorimi i IA-së, po përhapet me shpejtësi në shkolla, universitete dhe vende pune, studiuesit kërkojnë më shumë vëmendje, ndaj pasojave të mundshme afatgjata mbi të menduarit kritik, kreativitetin dhe aftësinë për zgjidhjen e pavarur të problemeve./mxh
