Një eksperte e mirëqenies paralajmëron se lodhja që shumë njerëz po ndiejnë gjatë valës së të nxehtit nuk lidhet vetëm me temperaturat e larta, por edhe me mënyrën si ndryshon rutina jonë gjatë verës.
Sipas Sonia Rose, themeluese e Uma Therapy, vera na shtyn natyrshëm drejt një jete më sociale, më aktive dhe më të ekspozuar ndaj stimujve të jashtëm. Kjo mund të krijojë ndjesi mbingarkese dhe lodhjeje mendore e fizike.
“Me më shumë dritë, më shumë plane dhe më shumë stimulim, trupi mund të ndihet i mbingarkuar dhe jashtë ritmit të tij natyral,” shpjegon ajo.
Ekspertja thekson se vetë i nxehti ndikon në trup duke ngadalësuar qarkullimin limfatik, duke ndikuar në hidratimin qelizor dhe duke krijuar stres të lehtë në sistemin nervor. Kjo, sipas saj, përkeqësohet kur shtojmë aktivitete sociale dhe mungesë pushimi.
Ndryshimet e rutinës gjatë verës udhëtimet, netët e vona dhe aktivitetet e shumta mund të çojnë në fryrje, lodhje, mbajtje uji në trup, probleme me tretjen dhe rikuperim më të ngadalshëm.
Sonia Rose thekson se zgjidhja nuk është “të bëjmë më shumë”, por të krijojmë momente qetësimi për trupin.
Ajo rekomandon disa hapa të thjeshtë:
Pushime të shkurtra gjatë ditës për të ulur stimulimin dhe për të ndihmuar sistemin nervor
Frymëmarrje e thellë dhe momente qetësie mes aktiviteteve
Ndërrim i ngadalshëm i mjediseve, p.sh. nga puna në aktivitete sociale
Aktivitet fizik i lehtë, si ecja, shtrirjet apo noti në vend të ushtrimeve intensive
Ngritja e këmbëve lart për të ulur fryrjen dhe lodhjen nga i nxehti
Kufijtë personalë si kujdes ndaj vetes
Ekspertja thekson gjithashtu rëndësinë e vendosjes së kufijve gjatë verës. Kjo mund të nënkuptojë të thuash “jo” ndaj planeve të tepërta, të marrësh kohë vetëm, të shmangësh oraret e mbingarkuara dhe të krijosh hapësirë për pushim pa ndjenjë faji.
“Ruajtja e energjisë ndonjëherë është më e rëndësishme sesa të përpiqemi të ndjekim gjithçka që ndodh rreth nesh,” përfundon ajo./mxh
