Last Updated on 02/06/2026 by Monika
Ka nisur protesta e tretë radhazi në Tiranë, kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Tubimi është thirrur përpara Kryeministrisë, pas një serie protestash që kanë nisur ditët e fundit në kryeqytet.
Protestuesit i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit Edi Rama për dialog, duke kërkuar dorëheqje dhe jo negociata me qeverinë.
Gjatë protestës së zhvilluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, qytetarët kanë shfaqur pankarta dhe kanë hedhur thirrje kundër klasës politike, ndërsa një nga sloganet më të dëgjuara ishte: “Rama n’burg, Berisha n’burg”.
Në një pankartë të madhe të mbajtur nga protestuesit shkruhej:
“Jam bir shqipe more shkja, ti sha ne s’dimë me sha, ta kemi thënë s’na e njeh trurin. N’Kryeministri ta ngremë flamurin.”. Protestuesit kanë refuzuar idenë e dialogut të propozuar nga kryeministri, duke artikuluar mesazhin “Dorëheqje, jo dialog!”, si kërkesën kryesore të tubimit.
Kjo është dita e tretë e protestave kundër projektit në Zvërnec, të cilat kanë shënuar pjesëmarrje të konsiderueshme qytetarësh nga zona të ndryshme të vendit. Në protestë janë vërejtur edhe të rinj dhe të mitur, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim./mxh
