Regjisori amerikan Adam Marcus ka shkaktuar reagime të forta pasi kritikoi publikisht aktorin e ndjerë Val Kilmer, më shumë se një vit pas vdekjes së tij.
Më 31 maj, Marcus kujtoi përvojën e tij gjatë xhirimeve të filmit aksion Conspiracy (2008), ku Kilmer luante rolin kryesor të William “Spooky” MacPherson, një veteran i luftës në Irak që zbulon një komplot korporativ në Arizona.
Në një postim në rrjetin social Threads, Marcus publikoi një foto nga seti i filmit dhe shkroi me ironi: “Ja unë dhe ai tipi që luajti Iceman dhe Doc Holliday, duke diskutuar në setin e Conspiracy. Po, kjo ndodhi.”
Regjisori nuk u ndal me kaq. Duke parashikuar kritikat për faktin se po fliste negativisht për një person të ndjerë, ai deklaroi: “Harrojeni atë historinë ‘mos fol keq për të vdekurit’. Nëse ky njeri do të kishte bërë sot vetëm një të dhjetën e asaj që bëri në setin tim, do të ishte anuluar menjëherë.”
Marcus e përshkroi Kilmer si “qenien më të keqe njerëzore që kam njohur ndonjëherë”, duke shtuar se kjo ishte një deklaratë me peshë. Postimet e tij u fshinë më vonë.
Komentet e Marcus rikthyen në vëmendje debatet e hershme mbi reputacionin e Kilmer në Hollywood. Gjatë viteve, disa regjisorë kanë folur publikisht për vështirësitë e bashkëpunimit me aktorin.
Regjisori Joel Schumacher, i cili punoi me Kilmer në filmin Batman Forever (1995), e kishte përshkruar atë si “fëmijëror dhe të pamundur për t’u menaxhuar”, ndërsa John Frankenheimer deklaroi se nuk do të punonte më kurrë me të pas filmit The Island of Dr. Moreau.
Vetë Kilmer iu përgjigj këtyre kritikave në një intervistë për Rolling Stone në vitin 2003, duke pranuar se kishte qenë i pakujdesshëm në mënyrën se si e kishte trajtuar punën e tij, por duke këmbëngulur se shumë prej akuzave ishin të ekzagjeruara.
Në dokumentarin autobiografik Val (2021), aktori reflektoi mbi sjelljen e tij gjatë karrierës: “Jam sjellë keq. Jam sjellë me guxim. Jam sjellë çuditshëm për disa njerëz. Nuk e mohoj asnjërën prej këtyre dhe nuk kam pendesa.”
Val Kilmer, i njohur për rolet e tij në filmat Top Gun, Tombstone dhe Batman Forever, ndërroi jetë më 1 prill 2025 nga pneumonia./mxh
