«Putini po humbet në fushat e betejës dhe hakmerret me terrorizëm nga qielli mbi qytetet ukrainase».
Dëshmitar i veçantë që në librat e tij rrëfen luftën, shkrimtari Andrei Kurkov flet vetëm pak orë pas sulmit të fundit rus mbi rajonin e Kievit.
Çfarë ndodhi në sulmet e fundit ruse?
«Të hënën isha me gruan time duke festuar me botuesin tim danez në fshatin Obukhiv, pak në jug të Kievit. Që nga ora shtatë e mbrëmjes filluam të shihnim tufat e dronëve rusë që hidheshin mbi zonën e kryeqytetit, duke fluturuar fare pranë çative. Sulmi vazhdoi me valë; pas orës tre të mëngjesit mbërritën raketat dhe mbrojtja jonë kundërajrore u përpoq t’i interceptonte: pikërisht atëherë u dëgjuan kudo shpërthimet, disa shumë afër. Gjatë gjithë natës folëm në Viber me tre fëmijët tanë, të cilët banojnë në lagje të ndryshme të kryeqytetit. Ata u strehuan në korridore dhe në zonat e mbrojtura të shtëpive të tyre. Askush nuk fjeti: shpërthimet ishin të fuqishme dhe goditën shumë ndërtesa shumëkatëshe».
A janë mirë?
«Ata po. Disa të njohur tanë, megjithatë, pësuan dëme në apartamentet e tyre. Këtë mëngjes vizituam një mike që pati një derë të shkulur. Kjo tashmë është diçka e zakonshme mes ukrainasve: pas çdo sulmi kontaktojmë njëri-tjetrin për të mësuar si janë punët. Pas sulmit shumë të rëndë të 24 majit, dy miq shumë të dashur humbën banesën e tyre.»
Vëreni ndonjë ndryshim në dinamikën e bombardimeve ruse krahasuar me katër vjet më parë?
«Komandat tona nuk zbulojnë nëse janë goditur objektiva ushtarake. Por, duke qenë në terren, mund të them se ky sulm i fundit shënon një përshkallëzim. Zakonisht sulmet janë me dy faza: fillimisht janë dronët për të hutuar mbrojtjen tonë dhe më pas raketat. Këtë herë ishin tre faza, secila me dronë dhe raketa, dhe të gjitha masive brenda një nate.»
Mund t’i përshkruani?
«I pari, shumë sulm i gjatë, filloi në orën shtatë të mbrëmjes, me qindra dronë të llojeve të ndryshme që vinin nga drejtime të ndryshme. I dyti ndodhi midis orës tre dhe katër e gjysmë të mëngjesit të djeshëm,e na u tha se përbëhej nga rreth 650 dronë dhe më shumë se 50 raketa. Dhe i treti ishte në orën shtatë të mëngjesit, kur njerëzit prisnin më pak, duke menduar se alarmi tashmë kishte përfunduar».
Propaganda ruse pohon, si gjithmonë, se synon ekskluzivisht objektiva ushtarake
«Janë gënjeshtarë të pandreqshëm. Një mal me gënjeshtra. Mund të dëshmoj drejtpërdrejt se shumica e dëmeve kanë të bëjnë me blloqe apartamentesh, depo fabrikash ilaçesh, zyra postare, magazina me rezerva ushqimore. Rusët synojnë të shkatërrojnë infrastrukturën tonë civile. Kohët e fundit janë djegur rezervat e ilaçeve të kryeqytetit. Edhe unë vetë e kam të vështirë të gjej disa ilaçe specifike.»
Si e interpretoni këtë?
«Është terrorizëm i pastër. Unë banoj në qendër, pranë zonës së Portës së Artë, dhe mund të tregoj se gjatë sulmit të tmerrshëm të 24 majit rusët e shkatërruan plotësisht tregun e mbuluar të Lukianivkës, ku më parë shkoja për të bërë pazarin. Jo larg ndodhej fabrika ushtarake Artiom, e cila megjithatë u shkatërrua në javët e para të luftës. Sot nuk ka asnjë kuptim të goditen ato lagje, përveçse me qëllimin për të krijuar terror te popullsia. Por njerëzit nuk dorëzohen: mes rrënojave janë rikthyer tashmë tezgat e tregtarëve.»
Reagimi?
«Civilët janë kthyer të flenë në metro dhe në bodrume. Ka lodhje, por jo dëshpërim. Ukrainasit nuk dorëzohen. Ata që kishin frikë tashmë janë larguar jashtë vendit; ata që kanë mbetur besojnë te rezistenca dhe te fitorja.»
Po shpresa për të hyrë në Europë?
«Ende ekziston, por flitet më pak për të. Tensionet me Poloninë tregojnë sa serioze janë problemet.»
Zelensky flet për një fund të mundshëm të luftës në vitin 2026: a e besoni?
«Është vetëm një mënyrë për të ngritur moralin. Por askush nuk e beson, sepse nuk shohim asnjë shenjë që Putini të jetë vërtet gati të heqë dorë nga lufta”./mxh
