Reperi i njohur Rigels Rajku, i njohur me emrin artistik Noizy, ka dëshmuar këtë të mërkurë në gjykatë lidhur me atentatin me tritol ndaj biznesit të tij në Durrës, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2022.
Gjatë dëshmisë së tij në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut, artisti tregoi momentet e natës së shpërthimit, duke deklaruar se ndodhej në të njëjtin pallat ku ishte vendosur lënda plasëse.
“Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në Durrës. Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi, kam pasur dritaren hapur. Kam qenë në gjumë, dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi, kuptova që diçka ndodhi. Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv”, deklaroi Noizy.
Ai tregoi se shpërthimi kishte ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, ndërsa familjarët e tij ndodheshin gjithashtu në pallat.
“Prindërit jetojnë në të njëjtin pallat, por në një kat më sipër. Kur zbrita, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00-04:00, unë u zgjova në orën 09:00”, u shpreh reperi para togave të zeza.
Sipas tij, shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha në bizneset që kishte në katin e parë të godinës.
“Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë. Kam një firmë rrobash dhe një lokal, të dy pronat janë të miat. Pashë komshinjtë, polici pa fund dhe kishte plasur një tritol. Hyrja ishte komplet e shkatërruar edhe në kat të parë, edhe në kat të dytë. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit. Ishte thyer mermeri komplet”, deklaroi ai.
Gjatë dëshmisë, Noizy foli edhe për dyshimet që kishte pasur menjëherë pas ngjarjes, duke përmendur konfliktin e një nate më parë me Kleviol Ahmetin, i njohur si Cllevio.
“Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar”, tha ai.
Artisti deklaroi se konfliktet me Cllevion kishin nisur prej vitesh në rrjetet sociale dhe se sipas tij, sjellja e tij ishte bërë obsesive.
“Kleviol Ahmeti është personi, sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam pasur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me sesbën vëmendjen time. Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë s’dua të bëhem shok me të”, u shpreh Noizy.
Ai rrëfeu edhe përballjen fizike që kishte ndodhur një natë para shpërthimit.
“Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar demek, vjen me 20 veta. Fjala e parë që thotë është ‘Ku është ai legeni’. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli”, deklaroi reperi.
Sipas tij, Cllevio kishte qenë live në TikTok dhe kishte shfaqur edhe armë në video.
“Ishte live në TikTok gjatë gjithë kohës, tregonte armë në video, e dija që po vinte”, tha ai.
Noizy pranoi gjithashtu se gjatë konfliktit fizik kishte reaguar i pari.
“Kur erdhi në pronën time, unë e godita i pari, konflikti ndodhi disa sekonda”, deklaroi artisti.
Ai shtoi se pas episodit të tritolit i ishte djegur edhe një automjet.
“Pas kësaj ngjarjeje, ai më dogji edhe një automjet. Ai e ka gjyqin akoma hapur dhe nuk e di si ka dalë nga burgu. Iku në Dubai, pagoi disa çuna nga Vlora dhe më dogjën makinën”, tha Noizy.
Në fund të dëshmisë së tij, reperi deklaroi se nuk kishte pasur asnjë njohje me Laert Haxhiun.
“Për Laert Haxhiun nuk kisha dëgjuar ndonjëherë. Emrin e tij e kam mësuar më vonë në media”, përfundoi ai./mxh
